E Diel, 1 Nëntor 2026

“Vora”, Aksioni, kapen 100 kg Cannabis, 5 veta në pranga



TIRANË - Sekuestrohen 100 kilogramë Cannabis sativa, që ishte bërë gati të dërgohej jashtë vendit dhe që kishte si vend prejardhjeje Krujën. Një operacion special i policisë ka bërë të mundur bllokimin e lëndës narkotike që vinte nga Kruja dhe vënien në pranga të pesë personave, të cilët ishin transportuesit e saj. Ishte një hetim dymujor i efektivave të Policisë së Tiranës që kanë bërë të mundur vënien në pranga të të dyshuarve. Burime zyrtare thanë gjatë mbrëmjes së djeshme se në kuadër të operacionit policor të koduar “Vora”, i organizuar nga strukturat e Luftës Kundër Narkotikeve, në bashkëpunim Njësinë e Operacioneve Speciale dhe të Kërkimit, Komisariatin e Policisë Nr. 5, është bërë i mundur sekuestrimi i sasisë prej 100 kilogramësh lëndë narkotike e dyshuar Cannabis sativa, si dhe u vendosën në pranga 5 persona, si posedues dhe shpërndarës të saj. Sipas policisë, operacion u realizua pas një periudhe 2-mujore investigimi dhe ndjekjeje, i cili ishte i një rrezikshmërie të lartë për forcat e policisë, pasi poseduesit e kësaj lënde ishin persona me rrezikshmëri të lartë dhe terreni shume i vështirë. Në flagrancë janë vënë në pranga: Gëzim Pirra, 28 vjeç, lindur e banues në Mans, Durrës, i dënuar më parë për “tentativë vrasjeje”; Leonard Zhana, 31 vjeç, lindur e banues në Mans, Durrës; Shkëlqim Taf Kuqi, 34 vjeç, lindur e banues në Mafsheq, Krujë; Kujtim Lloti, 40 vjeç, lindur e banues në Krujë; Kujtim Kuqi, 37 vjeç, lindur e banues në Mafsheq, Krujë. Nga hetimet e para është mësuar se të arrestuarit dyshohen se e realizonin shitjen dhe trafikimin e lëndëve narkotike aty ku dhe arrestimi ishte planifikuar nga policia, në qytetin e Vorës, por të treguar dinakë, ata, për t’iu shmangur forcave të policisë, kanë ndryshuar në momentet e fundit shkëmbimin e lëndës narkotike, ku së fundi u arrit të kryhet në fshatin Thumanë të rrethit Krujë, ku dhe u kapën në flagrancë. Lënda narkotike ishte e destinuar për trafikim drejt tregut ndërkombëtar, lëndë e cila u sekuestrua në karrocerinë e automjetit tip fuoristradë “Nissan” më targë LA 9344 A. Si prova materiale janë sekuestruar 100 kg Cannabis, si dhe dy automjetet tip fuoristradë “Nissan” dhe “Volkswagen” me targë LA 9305 A, si dhe 15 copë celularë.

23 Prill 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›