Rama: Investoni në Shqipërinë që po transformohet, nga energjia e gjelbër te infrastruktura dhe teknologjia

TIRANË, 10 dhjetor/ATSH-Maela Marini/ Kryeministri Edi Rama ftoi sot investitorët e huaj të investojnë në Shqipëri, ndërsa theksoi se vendi është gati për investime të cilësisë së lartë dhe afatgjata.
Gjatë punimeve të “Tirana Economic Forum”, Rama u shpreh se “Shqipëria nuk ka qenë kurrë më afër me BE-në se sot, ndaj dhe investitorët duhet të kuptojnë se momenti është tani”.
“Ne mirëpresim partneritete që ofrojnë dijen, ekspertët, inovacionin. Investimi sot do të thotë që të hyjmë në tregun e nesërm dhe ne ftojmë të gjithë që të angazhohen në katër shtylla strategjike që do të përcaktojnë 10-vjeçarin tonë të ardhshëm”, u shpreh Kryeministri.
Një prej këtyre sektorëve strategjikë, sipas tij, është “energjia e gjelbër, me një nga peshat më të larta të energjisë së rinovueshme në botë dhe një ambicie të qartë për t’u bërë jo vetëm eksportues neto, por edhe nyje energjetike rajonale”.
Gjithashtu, Rama u shpreh se një tjetër shtyllë ka të bëjë me infrastrukturën moderne, që do ta kthejë Shqipërinë në një kryqëzim logjistik mes Ballkanit dhe Europës.
“Turizmi cilësor dhe i qëndrueshëm, ku bukuria natyrore bashkohet me trashëgiminë dhe autenticitetin për të krijuar destinacione gjatë gjithë vitit me vlera të larta dhe standarde të larta”, u shpreh ai.
Një tjetër fushë me interes për investimet e huaja, për kryeministrin Rama është edhe “teknologjia dhe inovacioni”.
“Me një ekosistem start-up-esh në rritje, talente në IT, në Inteligjencë Artificiale, në FinTek dhe industri kreative që formësojnë ekonominë e re. Këto janë sektorët ku Shqipëria po ecën me shpejtësi dhe ku qeveria është e gatshme të mbështesë investitorët me stimuj fiskalë”, theksoi ai.
Rama u shpreh se “ne duam partnerë dhe jo kalimtarë”.
“Ftesa jonë është shumë e thjeshtë: besoni tek kjo Shqipëri që po ngrihet, investoni në këtë Shqipëri që po transformohet, bëhuni pjesë e historisë së suksesit që ne po ndërtojmë, përpara se të jetë vonë. Shqipëria nuk është shumë e madhe, kështu që vraponi e nxitoni përpara se hapësirat të mbyllen”, theksoi ai.
Kryeministri theksoi se e ardhmja nuk është diçka që ne e presim, por e ardhmja është diçka që ne e ndërtojmë për çdo ditë, dhe ne e ndërtojmë atë së bashku.
/r.e/a.f/