E Hënë, 2 Nëntor 2026

PD kërkon mocion me debat në Kuvend për situatën në Onkologjik

TIRANË, 14 tetor /ATSH/ Grupi parlamentar i Partisë Demokratike i ka kërkuar Kuvendit zhvillimin e një mocioni me debat për situatën e krijuar në shërbimin onkologjik në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza”.

Në kërkesë thuhet se, “raporti i fundit i Kontrollit të Lartë të Shtetit ka evidentuar situatën e rëndë në të cilën ndodhet sot shëndetësia, veçanërisht shërbimi onkologjik”.

“Raporti i KLSH-së evidenton dhe fakton shqetësimet e ngritura vazhdimisht në media dhe denoncimet e të sëmurëve me kancer për mungesën e barnave, përdorimin e barnave të skaduara, mungesën e kontrolleve laboratorike, si dhe  ofrimin e shërbimit në kohë”, thuhet në kërkesën e grupit parlamentar të PD-së.

Kërkesa zyrtare drejtuar Kuvendit të Shqipërisë është firmosur nga deputetët: Bardh Spahia, Manjola Luku, Klit Hoti, Tritan Shehu, Erisa Xhixho, Ledina Alolli dhe Eno Bozdo.

Kerkese per mocion me debat per raportin e KLSH ne onkologji

/gj.m//r.e/a.f/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›