Vijon lirimi i hapësirave të zaptuara publike

TIRANË, 14 tetor/ATSH/ Hapësirat e zëna në mënyrë të paligjshme vijojnë të lirohen ndërsa vijon operacioni në të gjithë vendin, duke i hapur rrugë programit “Rilindja Urbane 2.0”.
Kryeministri Edi Rama përcolli pamje nga lirimi i një hapësire publike. “Vijojmë”, shkroi ai në rrjetet sociale.
Lirimi i hapësirave publike nga ndërtimet e paligjshme synon të kthejë ligjshmërinë në territor, duke sjellë zhvillim për komunitetet.
Përveç prishjes së ndërtimeve të ngritura në kundërshtim me ligjin në kryeqytet dhe në qytetet e vendit, qeveria shqiptare ka ashpërsuar masat për forcimin e kontrollit mbi territorin, mbrojtjen e hapësirave publike, zbatimin cilësor të lejeve të ndërtimit dhe ndëshkimin e ndërtuesve që i shkelin ato.
Krahas ndërtimeve strukturat e IKMT-së dhe pushtetit lokal po punojnë edhe për pastrimin e akseve rrugore nga ndërtimet në shkelje me distancat e përcaktuara.
E konceptuar si një ndërhyrje sistematike në terren dhe jo një aksion i përkohshëm, kjo nismë, e cila ka nisur nga zbatimi në muajin korrik, po vijon me prioritet në gjithë territorin e vendit.
Ndërkohë, një tjetër mekanizëm, që do të jetë në funksion të subjekteve private, do të jetë Rregullorja e re Kombëtare, ku do të përcaktohen me ligj hapësirat që mund të shfrytëzojnë bizneset.