E Hënë, 2 Nëntor 2026

PEKIN – SHBA bën thirrje për vazhdimin e dialogut dhe bashkëpunimit me Kinën

PEKIN, 23 shtator  /ATSH-DPA/ – Një delegacion i Kongresit amerikan zhvilloi sot një vizitë të rrallë në Kinë, duke bërë thirrje për vazhdimin e dialogut dhe bashkëpunimit mes dy fuqive më të mëdha botërore.

Delegacioni, i udhëhequr nga përfaqësuesi demokrat Adam Smith, theksoi rëndësinë jetike të marrëdhënieve mes SHBA-s dhe Kinës për dekadat e ardhshme.

“Duam të hapim linjat e komunikimit”, tha Smith në një konferencë për shtyp, duke theksuar se nuk kishte pasur mjaftueshëm komunikim mes liderëve në SHBA dhe atyre në Kinë.

Kjo ishte vizita e parë zyrtare e anëtarëve të Dhomës së Përfaqësuesve në Kinë që prej vitit 2019, dhe vjen në një kohë tensionesh të shtuara për çështje ekonomike, tregtare dhe ushtarake.

Delegacioni u prit nga kryeministri Li Qiang, zëvendëskryeministri He Lifeng, kryenegociatori në bisedimet për tarifat tregtare me SHBA –në dhe ministri i Mbrojtjes Dong Jun.

Takimet u përqëndruan në ndërtimin e marrëdhënieve më të respektueshme dhe në zgjerimin e shkëmbimeve, veçanërisht në nivel ushtarak.

Komunikimi mes forcave të armatosura të të dy vendeve u ndërpre në vitin 2022, por u rikthye vitin e kaluar. Kësaj here, çështjet ushtarake ishin në qendër të bisedimeve, edhe për shkak se një pjesë e anëtarëve të delegacionit amerikan janë pjesë e komitetit të Dhomës së Përfaqësuesve që mbikëqyr forcat e armatosura.

Smith paralajmëroi se ritmi i shpejtë i rritjes së ushtrisë kineze e shton rrezikun e keqkuptimeve.

“Rreziku i një keqinterpretimi të kapaciteteve nga njëra palë apo tjetra është i madh”, tha ai, duke kërkuar vendosjen e mekanizmave për të shmangur përplasjet e mundshme.

Sipas mediave kineze, palët diskutuan gjithashtu për forcimin e marrëdhënieve dypalëshe dhe për zhvillimin e dialogut konstruktiv, në mënyrë që dallimet të trajtohen përmes komunikimit dhe jo përshkallëzimit.

Vizita shihet si një hap i rëndësishëm drejt rifillimit të diplomacisë mes Pekinit dhe Uashingtonit, në një periudhë ku marrëdhëniet mes tyre konsiderohen më vendimtaret për të ardhmen e rendit ndërkombëtar. /Ad.Ab./

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›