PPE miratoi rezolutën e PD-së, Rama: Alibia e humbjes paska filluar

TIRANË, 30 prill /ATSH/ Kryeministri Edi Rama, njëherësh kryetar i Partisë Socialiste reagoi sot në lidhje me rezolutën e miratuar nga grupi i Partive Popullore Europiane (PPE) e hartuar nga Partia Demokratike.
Nëpërmjet një postimi në rrjetin sociale “X”, Rama shkruan se “alibia e humbjes paska filluar në gjirin e PPE, ku salla bosh e partive simotra paska votuar unanimisht fletë-rrufenë e Kënetës Madhështore për humbjen e lirisë së zgjedhjeve”.
“Një tekst kua-kua-kuash që tregon se iluzioni i ëmbël i Latif magjistarit, po ia le vendin ndjesisë së hidhur të humbjes madhështore të 11 majit. 7×7=6MILION˔, shkruan Rama.
Zyra për medien dhe informimin në PD njoftoi sot se, “PPE kanë miratuar një rezolutë ku me gjuhë të vendosur ngrenë alarmin për manipulimin elektoral, kapjen e shtetit dhe rrënimin e standardeve demokratike në Shqipëri nën qeverisjen e Edi Ramës — veçanërisht në prag të zgjedhjeve të 11 majit 2025”. /j.p/