E Diel, 1 Nëntor 2026

Komisionet hetimore, nisma të dështuara të Kuvendit

Komisionet hetimore parlamentare, me plot gojë dhe pa asnjë droje, mund të thuhet se kanë dështuar. Tashmë këtë nuk e thonë vetëm mediat, por e pranojnë nën zë edhe vetë deputetët, të cilët pranojnë se ideja e ngritjes së komisioneve hetimore parlamentare për të hetuar çështje të ndryshme është e dështuar dhe qesharake. Në sesionin e shkuar në Kuvend vërshuan një mori kërkesash nga grupe deputetësh e partish politike, të cilat kërkonin me ngul ngritjen e komisioneve hetimore. Kryetarja e Parlamentit, Topalli, lejoi ngritjen e këtyre komisioneve hetimore, të cilat vetëm për një sesion ishin plot katër komisione, ose ndryshe katër dështime.

Komisioni Durrës-Kukës

Komisioni hetimor "Durrës-Kukës" ishte dhe më i përfoluri, pasi sipas opozitës abuzimet në ndërtimin e rrugës së "shekullit" ishin marramendëse. Në qendër të këtyre sulmeve ishte ish-ministri i Transporteve, aktualisht ministër i Jashtëm, Lulzim Basha. Opozita po përgatitej për dorëzimin e kërkesës së saj në Kuvend, për të qenë iniciatore e ngritjes së këtij komisioni, por mazhoranca u tregua më e shpejtë, duke e dorëzuar e para kërkesën në Parlament. "Shkathtësi", e cila, sipas rregullores, pasohet me drejtimin e komisionit. Pra, cila forcë politike dorëzon kërkesën për ngritjen e një komisioni të caktuar, merr dhe drejtimin e saj, kryetarin e komisionit. Sipas kësaj logjike, komisioni do të drejtohej prej saj dhe konkretisht prej deputetit Aleksandër Biberaj. Por kjo nuk e ligështoi opozitën, e cila që në mbledhjen e parë dorëzoi nëpërmjet nënkryetarit, deputetit Arben Isaraj, një mori kërkesash të cilat duhet t‘u paraqiteshin institucioneve përkatëse dhe qeverisë, që këta të fundit të vinin në dispozicion dokumentet e nevojshme që komisioni të punonte me to. Gjithashtu ata paraqitën edhe një listë dëshmitarësh, ndër ta edhe Kryeministri Berisha e ministri Basha. Por kur gjërat dukeshin se ishin në vijë, nisën dhe zvarritjet e gjata të këtij komisioni, duke u mbledhur për tre muaj vetëm tri herë dhe tashmë, kur ka mbaruar mandati i saj, ky komision nuk ka arritur asgjë konkrete për ta dërguar më pas raportin në Kuvend.

Komisioni i përgjimeve

Të njëjtin fat me komisionin "Durrës-Kukës" ka pasur edhe komisioni hetimor për përgjimet e deputetëve, i kërkuar nga PDK-ja. Mandati i të cilit ka javë që ka përfunduar dhe gjithsej janë bërë vetëm dy mbledhje. Drejtuesit e këtij komisioni kanë akuzuar Kryetaren Topalli se po pengon punën, duke mos u vënë në dispozicion dokumentet e kërkuara.

Komisioni për koncesionet

I dështuar është edhe komisioni për dhënien e koncesioneve, i cili drejtohet nga opozita dhe konkretisht nga deputeti Shpëtim Idrizi. Megjithëse ky ka pasur fatin të mblidhet disa herë, deri më tani nuk është arritur asgjë konkrete dhe ashtu si dy komisioneve të para, i ka mbaruar afati i caktuar nga Kuvendi.
Komisioni për prokurimet

Dhe komisioni i prokurimeve publike, ku do të hetoheshin veprimet e qeverisë për kryerjen e prokurimeve publike dhe konkretisht për mënyrën e shitjes së "Albtelekomit", u cilësua si dështimi i radhës. Ashtu si tre komisionet e tjera, dhe këtij i kanë mbaruar të gjitha afatet e votuara nga Kuvendi dhe nuk ka një përfundim konkret për t‘ia paraqitur për votim Kuvendit.

Opozita vazhdimisht ditët e fundit ka ngritur zërin, duke theksuar se puna e komisioneve hetimore ka dështuar dhe kjo për faj të institucioneve të shtetit dhe të qeverisë, të cilat nuk kanë vënë në dispozicion dokumentet e kërkuara. Ka apo jo faj shteti dhe ka apo jo të drejtë opozita në ato çfarë thotë, kjo pak rëndësi ka. E rëndësishme është të kuptojmë të gjithë se nisma të tilla për ngritje komisionesh hetimore në Kuvend, duke paralelizuar punën e institucionit të akuzës, gjithmonë kanë rezultuar të dështuara dhe në dëm të shtetit, pasi ngritja e një komisioni ka edhe koston e tij financiare, që rëndon mbi taksapaguesit shqiptarë. Deputetët duhet të kuptojnë se çdo tekë e tyre, ka një kosto që rëndon mbi këtë popull.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›