E Diel, 1 Nëntor 2026

Partia Mundësia protestë para parlamentit

TIRANË, 5 mars /ATSH/ Partia Mundësia zhvilloi sot një protestë para Parlamentit, ku ishin të pranishëm edhe banorë të Rrjollit, të cilët prej javësh protestojnë kundër ndërtimit të një e resorti turistik në Baks-Rrjoll.

Ata pretendojnë se tokat ku po realizohet investimi janë pronë e tyre dhe se po u cenohen të drejtat pa një proces të rregullt ligjor.

“Kjo nuk është në problematikë vetëm e Rrjollit, por sot kjo është një problematikë që prek gjithë shqiptarët. Nëse na grabitet prona, çfarë na lidh më me atdheun tonë? Çfarë na lidh më me Shqipërinë? Ju bëj thirrje që të ngrenë zërin për pronat e shqiptarëve”, tha një banore.

Një tjetër banor u shpreh se “e ardhmja jonë duhet të ndryshojë nga këto parti që na kanë shfrytëzuar që prej 30 e ca vitesh. Kërkojmë që qeveria të na zgjidhë hallet tona, kërkojmë pronën e të parëve tanë. Duan të na e grabisin tokën më dhunë”.

Në fjalën e tij, kryetari i Partisë Mundësia, Agron Shehaj u shpreh se grabitja e tokave të qytetarëve po bëhet nga pushtetarë dhe oligarkë të lidhur së bashku.

“Qytetarët po vuajnë nga rrëmbimi i pronës. Është e pabesueshme se si në 2026-ën një parti politike duhet të organizojë për herë të parë një protestë kundër rrëmbimit të pronës. Nuk jemi në ’45-ën kur pronat vidheshin nga komunistët, jemi në 2026-ën dhe prona vijon e vidhet, e kjo është e papranueshme. Iu është vjedhur pronarëve legjitimë, ose më mirë nuk u është njohur kurrë. Sot po u vidhet edhe atyre që kanë certifikata pronësie.

Duhet të përgëzoj të gjithë protestuesit e Rrjollit dhe ata të Durrësit, po na frymëzoni të gjithëve. Kurrë nuk kishte ndodhur pavarësisht grushteve, të fortëve me kapuçë, shkopave të gomës që i rrahin, qëndrojnë aty, ata nuk dorëzohen. Jeni frymëzim për të gjithë shqiptarët”, tha Shehaj.

/m.q/r.e/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›