Pas 15 vitesh pritjeje, 66 familje në Lezhë marrin dokumentet e pronësisë

TIRANË, 22 tetor /ATSH/ Një proces i zgjatur për më shumë se 15 vite mori sot fund për 66 familje në qytetin e Lezhës.
Bashkia Lezhë në bashkëpunim me Agjencinë Shtetërore të Kadastrës dorëzoi zyrtarisht dokumentet e pronësisë për 44 banesa dhe 22 njësi shërbimi, duke i dhënë fund pasigurisë për pronën për dhjetëra qytetarë.
Banorët ishin prekur nga një projekt ndërtimi që kishte mbetur pezull prej vitesh nga investitori, duke i lënë pa të drejta pronësie mbi banesat e tyre. Sot, falë angazhimit të institucioneve ky proces është përmbyllur dhe banorët kanë në dorë certifikatat e pronësisë.
“Një tjetër premtim i mbajtur dhe një hap konkret për garantimin e të drejtës ligjore mbi pronën”, u shpreh kryetari i bashkisë Lezhë, Pjerin Ndreu.
Ky është një rast tjetër i angazhimit të institucioneve për zgjidhjen e çështjeve të vjetra të pronësisë për banorët proces që po vijon edhe në zona të tjera të vendit.
/e.xh/j.p/r.e/