E Diel, 1 Nëntor 2026

Patatja, mrekullia që do të shpëtojë Perunë

Në kohën e të korrave në fshatrat e Perusë, kur fillon vjelja e patateve, prurjet e para grumbullohen të gjitha në një vend. Me to organizohet një ritual shumë i veçantë, tradicional dhe i vjetër, i cili ka për qëllim që të "ndjellë" mbarësi për pjesën tjetër të të korrave. Ceremonia është e thjeshtë: patatet qërohen dhe vendosen në një gropë të madhe. Rreth saj grumbullohen njerëz që hedhin brenda ushqime dhe i këndojnë këngën "Pancha Mamas" ("Tokës Nënë"). Për mijëra vjet, patatja ka qenë ndër ushqimet e vetme që ka mbajtur gjallë, por edhe që është preferuar nga banorët e lashtë të Andeve peruane. Për herë të parë, patatja u kultivua në Altiplanon e Perusë moderne dhe Bolivisë. Në këto zona ekzistojnë 2800 varietete të zarzavateve. Ky është numri më i madh i varieteteve që gjenden në një vend të vetëm. Shumëkush mendon se patatja është në Peru pak a shumë si të gjitha perimet, ose të paktën është ndër më të preferuarat, pasi në fund të fundit bëhet fjalë thjesht për një ushqim, por nuk është kështu. Nëse do të përmendësh fjalën patate në Peru, njerëzit mund të ngrihen në këmbë në shenjë respekti. Këtë vit OKB-ja shpalli "Vitin e patates" për këtë zonë të Andeve, që do të thotë se ritualet do të jenë më të shumta për këtë perime. Të mos harrojmë se patatja është ushqimi i tretë bazë në botë. Në qoftë se nuk e sheh me sytë e tu nuk mund ta besosh se si është e mundur që ndaj patates, e cila në shumë vende është një zarzavate e thjeshtë, në Peru kanë një veneracion të tillë, një pasion të madh që shprehet edhe përmes poezive. Patatja është temë kryesore e karnavaleve, e kostumeve shumëngjyrëshe, e vallëzimeve apo muzikës tradicionale. I gjithë qëllimi është që të shpallet e të njihet botërisht përkatësia e patates. Peruanët thonë me krenari se "atdheu i patates është Peruja". Por kohët e fundit, konsumi i saj duket sikur ka rënë në Peru, pasi vendasit kanë nisur të preferojnë ushqime si p.sh. orizi, apo edhe drithëra. Kjo tendencë është goditur nga rritja e përbotshme e çmimit të drithërave dhe grurit kryesisht, të cilin Peruja e eksporton në masën 80%. Ministri i Bujqësisë së Perusë mbajti së fundi një fjalim, në të cilin thoshte se shpëtimi i vetëm për gjysmën e popullsisë së vendit, që janë të varfrit, është rikthimi te patatja. Pra me fjalë të tjera rikthimi te tradita. Qeveria po përpiqet që të nxisë konsumin e patates, duke inkurajuar bukë të përgatitur nga mielli i patateve. Shembullin e parë e kanë dhënë fëmijët e kopshteve publikë dhe të burgosurit. Në të gjithë botën patatja konsumohet diku më shumë dhe diku më pak, por nuk janë të shumtë ata që e dinë se ajo vjen nga Peruja. Madje po të pyesësh njerëzit, ka shumë gjasa që të të thonë se ajo vjen nga Gjermania. Për sa i përket ushqimit me të, patatja është shumë e rëndësishme në ushqimin botëror, sidomos në këtë moment të rritjes së çmimeve. Një numër vendesh me popullsi të madhe, si Kina, apo India, po shohin mundësinë e dyfishimit të sasisë së prodhimit të patates, duke e konsideruar si një ushqim me shumë vlera e mbi të gjitha të lirë e që kërkon pak mund për t‘u kultivuar. Paradoksi është se komunitetet që i dhanë botës pataten, janë sot ndër më të varfrat e zinxhirit të maleve të Andeve në Amerikën e Jugut. Qeveria e Perusë po përpiqet të ndihmojë vendin duke e shndërruar pataten në një markë të vërtetë për vendin, në arenën ndërkombëtare. Për këtë janë përpunuar dhe zhvilluar politika të mirëfillta marketingu në mënyrë që të gjithë, edhe bujqit më të varfër, të përdorin pataten si mundësinë e tyre të artë për të dalë nga varfëria. Për t‘ia arritur qëllimit është çelur Qendra Ndërkombëtare e Patates me bazë në kryeqytet, Lima. Ajo po përpiqet që t‘i ofrojë tregtarëve dhe konsumatorëve të botës të gjitha llojet dhe varietetet e patateve të Perusë. Llojet janë të shumta dhe interesante. Patatet e Perusë kanë forma dhe ngjyra që nuk janë tradicionale, pra të njëjta me ato që jemi mësuar të shohim në Evropë. Ato kanë forma specash, trangujsh dhe ngjyra që variojnë nga e kuqja, tek e verdha, apo portokallia. Për sa i përket shijeve kjo varet nga lloji i saj. Ideja e qendrës nuk është që të ndihmojë vetëm të varfrit, por edhe 70% të popullatës që jeton në fshat. Ndërsa çmimi i drithërave shkon lart e më lart, patatja del si një zgjidhje shumë e mirë e problemit dhe si një zëvendësim më se i denjë i grurit. Qeveria peruane po përpiqet që të eksportojë edhe patatet peruane. Pamja e tyre ekzotike, me pak publicitet, mund të kthehej në një sukses ndërkombëtar. Veç të tjerash, ato janë të pasura me vitamina dhe kanë lloje aminoacidesh, të cilat patatet e zakonshme nuk i përmbajnë. Tregu që synohet është ai i Amerikës Veriore dhe i Evropës. Po si mund të arrihet kjo? Ndër problemet kryesore është infrastruktura, e cila thuajse mungon tërësisht në Peru, sidomos në zonat rurale, ku edhe pretendohet të rritet ajo. Rënia e prodhimit ka qenë pasojë e rënies së investimeve. Por, me ose pa tregun ndërkombëtar, qeveria peruane është e vendosur për të rritur prodhimin brenda vendit dhe për ta kthyer sërish pataten në zarzavaten e "bekuar nga Zoti" dhe të konsumuar nga të gjithë. Në Peru ekzistojnë 1.8 milionë persona që merren vetëm me kultivimin e patates. Në botën gastronomike, ajo ka shumë mbështetës dhe adhurues. Turistët që vijnë në Peru befasohen kur përballen me pataten vendase, me ngjyrat, format dhe shijen e saj, dhe e kuptojnë që udhëtimi i tyre ia ka vlejtur edhe për njohjen me zarzavaten e lashtë dhe të ushqyeshme.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›