E Diel, 1 Nëntor 2026

Dita kur mbaroi aparteidi

Kur dikush sot flet për "mrekullinë afrikane", ashtu siç ndodh në të gjithë botën, janë më të shumtë në numër ata që e tundin kokën në shenjë mërzitjeje apo skepticizmi. Kur kujton ndryshimet që ndodhën në ato vite nuk është e lehtë të entuziazmohesh. Një fije shprese u ndez, atëherë kur Nelson Mandela doli nga burgu, më datë 13 shkurt të vitit 1990, apo kur miliona njerëz nga të gjitha racat, më 27 prill të vitit 1994, duruan të nxehtin, duke pritur orë me radhë për të vënë kryqin karshi një partie politike, në një fletë votimi, e cila për shumicën e afrikanojugorëve përfaqësonte hapin më të madh që do të merrnin në jetën e tyre.

Nëse sheh përqark, gjëja e parë që të bie sot në sy, është vala e madhe e dhunës që po e çon vendin drejt mjerimit; vrasje që ndodhin çdo ditë, përdhunime të fëmijëve apo grave të moshuara, shtimi i ndjeshëm i të varfërve dhe i të pastrehëve, korrupsioni dhe shumë faktorë, të cilët ndikojnë në përkeqësimin e situatës. Sheh një elitë të re të zezë, e cila e merr pushtetin jo për meritë, por prej parasë, dhe atë elitë të vjetër e të bardhë, që ende po korr frytet e privilegjeve të shkuara, ndërsa shumë të varfër, si të bardhë, por edhe njerëz me ngjyrë, nuk gjejnë rrugëdalje nga situata ku janë fundosur. Sheh fëmijë të vegjël, të cilët nuk kanë bërë asnjë klasë shkollë, që gjykohen në bazë të ngjyrës së lëkurës dhe që bëjnë punë të cilat as nuk mund të imagjinohet. Po ashtu sheh edhe të tjerë, të talentuar, që kanë mbaruar disa klasë shkollë, por që u duhet të largohen nga vendi për të kërkuar punë jashtë vendit (edhe në këtë rast gjykohen nga ngjyra e lëkurës). Sheh një shpërdorim të potencialit njerëzor, ndërsa ata të quajtur "me ngjyrë", mulatët, një herë e një kohë dërgoheshin në vende të largëta, të veçuara në toka që nuk i përkisnin askujt, sepse e kishin shumë të errët lëkurën për të bardhët që qeverisnin në ato kohë. Ende sot (me përjashtim vetëm disa javë, gjatë të cilave zhvillohen zgjedhjet politike) gjenden të burgosur në një vend të humbur, më mirë të themi gjenden askund, pasi nuk kanë një vend të tyrin, sepse tani e kanë lëkurën shumë të bardhë për zezakët që po qeverisin.

Duke parë të gjitha këto mund të flitet akoma për një "mrekulli afrikane"? Të thuash diçka të tillë, në pamje të parë, mund të duket një qëndrim totalisht cinik ose prova e një mendjelehtësie të papërfillshme. Por do të ishte e gabuar të mendoje se mrekullia e fillimit të viteve nëntëdhjetë ishte një iluzion i vërtetë, ose që ka humbur krejtësisht. Pas tre shekujsh shtypje koloniale, lirimi Mandelës nga burgu i dha mundësinë pjesës më të madhe të afrikanojugorëve për të mbajtur zgjedhjet e para demokratike në vend dhe pas kësaj u formulua një Kushtetutë e re, e cila u bë zilia e pjesës tjetër të botës. Afrika Jugore i arriti të gjitha këto pa derdhur atë lumin e gjakut që të gjithë ne të tjerët kujtonim se ishte i pashmangshëm. Në krahasim me luftërat e gjata për çlirim, që janë zhvilluar në zona të tjera të kontinentit, në Zimbabe, Namibia dhe në Mozambik, u zhvillua një revolucion paqësor, i cili solli një ndryshim rrënjësor në të gjithë vendin dhe ekzistencën e tij. Vende të tjera tronditura nga turbullira analoge social-politike po paguajnë ende për gjithë këtë, siç ka ndodhur në Rusi, Kil, Bosnjë etj.

Është mirë dhe e nevojshme që të kujtohet momenti i këtij transformimi të rëndësishëm për të bërë të mundur vlerësimin me anë të syve të rinj mbi të vërtetën e asaj përvoje.

Tranzicioni, që kaloi nga errësira në dritë, mbarti me vete një mundësi për të zgjedhur ndërmjet dhunës e paqes, konfliktit dhe tavolinës së bisedimeve, armëve dhe fjalës. Kjo është zgjedhja kryesore në botë, sepse këtu bëhet ndarja ndërmjet të qenit dhe të mos qenit njerëzor.

Momenti kyç për atë zgjedhje historike ka qenë ndoshta një ngjarje që ka ndodhur më datë 17 mars të vitit 1992. Në atë ditë është mbajtur referendumi. Kjo është ngjarja e fundit e këtij lloji, që është mbajtur vetëm për të bardhët në Afrikën Jugore, nga Presidenti de Klerk, për të vendosur nëse minoranca e të bardhëve që qeveriste vendin ishte e gatshme për të mbajtur tratativat e Kodesës (Konventa për një Afrikë Jugore Demokratike). Pyetja që iu bë elektoratit ishte e thjeshtë dhe e drejtpërdrejtë: "A jeni në favor të vazhdimit të procesit të reformës, nisur nga kryetari i shtetit më datë 2 shkurt të vitit 1990, i cili ndërmjet dialogut ka arritur në përfundimin për të krijuar një Kushtetutë të re?". Shumë njerëz në atë kohë nuk ndjeheshin mirë nga ideja për një referendum të rezervuar vetëm për të bardhët. Por në atë çast të historisë vërtet që nuk kishte asnjë alternativë tjetër. Në këtë mënyrë kuptohet edhe vendimi i partisë së Nelson Mandelës, që i dha shumë rëndësi këtij zhvillimi. Skenari në të cilin u zhvillua referendumi karakterizohej nga një valë dhune në të gjithë vendin. Kjo u provokua në radhë të parë nga e Djathta Ekstreme, e cila e refuzonte "armikun", por edhe nga "Inkatha Freedom Party", partia politike me dominim zulu, që ishte e përqendruar në provincën e Natalit, e cila po përhapej me shpejtësi në shumë zona të vendit, veçanërisht në rrethinat e Johanesburgut. Lideri i saj, Mango Butelezi, e refuzonte të drejtën për të negociuar me të bardhët, edhe pse në Kodesa merrnin pjesë shumë parti të tjera zezakësh dhe vetë partia e tij madje ishte ftuar për të marrë pjesë, por nuk kishte pranuar. Nga ana tjetër, e Djathta Ekstreme e të bardhëve, Partia Konservatore (e drejtuar nga themeluesi Andries Treurnikt) këmbëngulte se qeveria e De Klerkut nuk po e kryente mirë rolin e saj në negociata kundrejt të bardhëve. Për disa kohësh, pas humbjes së partisë së De Klerkut në zgjedhjet e shkurtit 1992, u duk sikur Treurnikt kishte pasur të drejtë. Kjo gjendje e bënte të nevojshme, por edhe të pashmangshme, opinionin e zgjedhësve të bardhë. Për t‘i shtuar edhe më shumë presion situatës, ishte edhe fakti se në fillimin e viteve 1990, Namibia kishte fituar pavarësinë. Në sfond të saj, natyrisht qëndronte e vërteta se çfarë po ndodhte në Evropë: rënia e Murit të Berlinit dhe shpërbërja e Bashkimit Sovjetik. De Klerku e fitoi bastin e tij. Gati 69 për qind e votave në referendum ishin në favor të propozimit për tratativa. Më pak se një e treta e zgjedhësve, 31,27 për qind, votoi kundër. "Sot - deklaroi Presidenti pas votës - kemi shënuar një ngjarje historike në historinë tonë". Dhe ajo ngjarje ishte "përfundimi i aparteidit".

De Klerk, edhe shumë kohë pas të gjitha këtyre ndryshimeve, vazhdoi të këmbëngulte për t‘i përshtatur Afrikës së Jugut "ndarjen e pushtetit" në vend të rregullit të qeverisë për mazhorancë. Por ai e kuptoi se vendi në vitin 1990 gjendej në një rrugë qore dhe që ndryshimi politik ishte i pashmangshëm dhe mori hapat e parë të kurajës drejt rrugës së demokracisë. Gjatë viteve të fundit, nga një pragmatik që ishte, arriti të ndryshojë dukshëm pozicionin e tij, duke përfituar një mentalitet demokratik. Dhe për të, gjithçka filloi nga referendumi, i cili shënon një ngjarje të rëndësishme në historinë e Afrikës Jugore. Është e trishtueshme që gjashtëmbëdhjetë vjet më vonë, një pjesë e madhe e shpresës dhe shumë nga aspektet ligjore të asaj periudhe janë tradhtuar nga regjimi aktual. Zgjedhja për të persekutuar mirëqenien, interesat në vend të moralit, arrogancën në vend të dhembshurisë, dallimet ndërmjet individëve, në vend të lirisë autentike. Por kjo nuk do të thotë se gjithçka ka humbur. Për pak çaste, në fillimin e viteve nëntëdhjetë, afrikanojugorët i kanë treguar gjithë pjesës tjetër të botës, se gjithmonë ka një rrugëdalje nga mizerja shekullore. Njerëzit që kanë mbajtur për një kohë të gjatë pushtetin absolut mund të hiqnin dorë prej tij në këmbim të paqes dhe jo luftës, të barazisë dhe jo pabarazisë, të objektivave të përbashkët dhe jo interesit personal. Duke parë këto, ne e dimë se ato mundësi, zgjedhje, ekzistojnë ende dhe mund të vazhdojmë t‘ia rinisim nga e para për të ndërtuar ëndrrat tona mbështetur në këto parime.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›