Rusia nuk do të reagojë ashpër ndaj pavarësisë së Kosovës
Në artikullin e saj të djeshëm, më shumë se të përqendrohej te vetë çështja e pavarësisë së Kosovës, prestigjiozja "International Herald Tribune" analizonte qëndrimin që ka mbajtur dhe do të mbajë Rusia lidhur me këtë problem, i cili duket se për Kremlinin, veç interesave gjeopolitike, bart me vete edhe doza të forta krenarie. Sipas së përditshmes prestigjioze që shitet në më shumë se 180 shtete, ndarja e Kosovës nga Serbia do të përkeqësojë debatet mbi një seri çështjesh që shtrihen nga sistemet mbrojtës ndaj raketave, deri tek anëtarësimi në NATO i ish-republikave sovjetike të Gjeorgjisë dhe Ukrainës.
"Në lojë janë shumë çështje njëherësh, gjë që e bën edhe shumë të rrezikshme", shpjegon për "International Herald Tribune" Anatoli Lieven, ekspert për Rusinë në Universitetin Mbretëror të Londrës.
E përditshmja vëren se Kremlini i Vladimir Putinit është shumë i ndjeshëm ndaj çështjes së Kosovës, dhe kjo, jo vetëm prej rrënjëve të përbashkëta sllave që ndan me të serbët ortodoksë. Kosova në vetvete është simbol i dobësisë ruse në epokën postsovjetike. Me gjithë zemërimin për bombardimet e NATO-s kundër serbëve në vitin 1999 - veprim që nga Boris Jelcin u cilësua si rikthim në epokën e gurit - Moska njohu një marrëveshje që e vendoste provincën nën kontrollin e NATO-s dhe të aleancës perëndimore.
Ndërkaq, vërehet në artikull, Putin e ka bazuar të gjithë popullaritetin e vet te rigjetja e krenarisë së humbur ruse, duke kërkuar kthimin te ndikimi i dikurshëm në nivel global.
"Çështja, më shumë se te vetë Kosova, fshihet te përpjekjet e Moskës për të rigjetur madhështinë", thotë Jevgeni Volk, kreu i zyrës së Moskës të Fondacionit Trashëgimia, një "think tank" i njohur amerikan.
Spekulimet se Rusia mund të arrinte një marrëveshje me Perëndimin u kthyen në pluhur gushtin që shkoi, kur Moska hodhi poshtë çdo plan për pavarësinë e mbikëqyrur të Kosovës, duke kërcënuar me përdorimin e vetos në Këshillin e Sigurimit.
"Kosova është kthyer në një mjet shumë të suksesshëm për të treguar se Rusia ka një opinion të vetin dhe se nuk ka ndërmend ta ndryshojë për t‘i bërë qejfin ndokujt", shpjegon në artikull Fjodor Lukjanov, redaktor për Rusinë në revistën "Global Affairs". "Në të vërtetë nuk bëhet fjalë për mbështetje ndaj Serbisë, por për mbështetje ndaj parimeve".
Ndërkaq Rusia paralajmëron se legjitimi i pavarësisë së Kosovës do të vendoste një precedent të rrezikshëm dhe se do t‘u jepte krahë separatistëve anembanë Evropës. Ajo vetë ka bërë të kuptohet se mund të kundërveprojë, duke njohur kërkesat për shkëputje të Abkazisë dhe Osetisë së Jugut. Një trimëri që u ngre zemrat peshë disa politikanëve të Kremlinit, por që shihen me shumë frikë nga pragmatisti Putin - të paktën për tani. Një lëvizje e tillë do të thoshte luftë me Gjeorgjinë, acarim me Perëndimin dhe zgjimin e separatistëve brenda kufijve rusë.
"Nuk besoj se është një çështje për të cilën Rusia do të përballet dhëmbë për dhëmbë me Perëndimin", thotë Aleksandër Rahr, drejtor i programit "Rusi/Euroazi" në Këshillin Gjerman të Marrëdhënieve me Jashtë. "Në lojë është fati i shumë rajoneve dhe do t‘i duhej të përballej me shumë konflikte njëherësh".
Kështu, me shumë gjasa Rusia do të bëjë një hap prapa dhe do t‘i ruajë energjitë për debatet mbi planet për sistemin mbrojtës kundër raketave që kërkon të instalojë Amerika, si edhe për përpjekjet për të ndalur përfshirjen në NATO të Gjeorgjisë dhe Ukrainës - problem shumë më i rëndësishëm për Kremlinin nga ç‘është Kosova e largët.
Duket se reagimi i saj do të kufizohet në hapa të vegjël siç mund të jetë kërkesa ndaj OKB-së për të mos njohur Kosovën e pavarur, duke marrë pozën e mbrojtësit të ligjeve ndërkombëtare. "Çfarëdo të bëjë, nuk besoj se do të bëjë ndonjë gjë të madhe", tha Lieven, Profesori i Universitetit Mbretëror në Britani.
Pavarësia, e pashmangshme
Një tjetër njeri që është dorëzuar tërësisht përpara faktit të kryer të pavarësisë së Kosovës është Masimo D‘Alema, ministër i Jashtëm i Italisë, president i demokratëve të së majtës në vendin fqinj, njëherësh edhe zëvendëspresident i Internacionales Socialiste. Pavarësia e Kosovës tashmë "është një perspektivë e pashmangshme", tha dje D‘Alema në një intervistë të dhënë për të përditshmen italiane "L‘Unità". Në disa raste gjatë këtyre ditëve të fundit, shefi i diplomacisë italiane, edhe pse me zemër të thyer, ka nënvizuar se qeveria e tij ka vendosur t‘u bashkohet "të mëdhenjve" të tjerë të Unionit Evropian kur të vijë fjala për njohjen e shtetit të ri ballkanik.
Deklarata në fjalë vjen pas një tjetre të bërë më 6 shkurt në agjencinë italiane të lajmeve "Apcom", ku ministri i Jashtëm i vendit fqinj ishte shprehur se "procesi i pavarësisë së Kosovës është i pakthyeshëm" dhe se bashkë me trazirat që ky veprim mund të bartë me vete, "është në interesin e Italisë që të procedojë menjëherë me njohjen zyrtare të statusit të ri".
Gjatë intervistës së djeshme u ndal gjatë te "kompleksiteti" i procesit, si dhe te fakti se minoranca etnike serbe e Kosovës mund të bëhet pre e shkeljeve të të drejtave. Një kontekst i tillë për D‘Alemën "kërkon përgjegjësi të forta nga ana e BE-së". Ai shtoi se "misioni civil i Bashkimit Evropian duhet të jetë mekanizmi që do të mbajë nën mbikëqyrje të gjithë procesin, por që njëherësh duhet të na shpjerë te zgjerimi i BE-së në Ballkan, gjë që është edhe zgjidhja e vërtetë e problemit".