E Diel, 1 Nëntor 2026

Fondacioni "Qemal Stafa", debat për mirëqeverisjen vendore

Fondacioni "Qemal Stafa" ka organizuar dje debatin vjetor për mirëqeverisjen vendore, një aktivitet ku kanë marrë pjesë të gjithë të zgjedhurit vendorë të PS-së dhe të partive të tjera të majta. Gjatë këtij takimi, fondacioni "Qemal Stafa", nëpërmjet drejtorit të tij, Saimir Tahiri, ka prezantuar Kodin e Praktikave të Mirëqeverisjes në Pushtetin Vendor. Një dokument ky që është konceptuar si një shportë principesh për mirëqeverisjen në pushtetin vendor. Sipas drejtuesit të këtij fondacioni, Tahiri, këto parime përbëjnë një standard minimal për mirëqeverisjen në nivel vendor, siç duhet gjithashtu të përbëjnë edhe një udhërrëfyes për të gjithë administratorët vendorë, të zgjedhur ose jo. Gjithashtu, fondacioni "Qemal Stafa" ka publikuar edhe një manual trajnimi në version elektronik, i cili u është shpërndarë të zgjedhurve vendorë. Manuali trajton çështjet e përfshirjes së publikut, komunitetit vendor dhe përfaqësuesve të shoqërisë civile në vendimmarrjen lokale. Gjithashtu, manuali përmban edhe një informacion të gjerë mbi PS-në, "Dialog me Shqipërinë" dhe të dhëna të tjera të nevojshme. Në këtë takim ka marrë pjesë edhe kryetari i bashkisë, Edi Rama, i cili nuk i ka kursyer akuzat për Kryeministrin Berisha, duke e cilësuar si të paaftë për të mbajtur premtimet e bëra para shqiptarëve. "Shqipëria po zvarritet, kur fqinjët po ecin me shpejtësi dhe Evropa po fluturon", është shprehur Rama. Më tej, kryetari i PS-së ka theksuar se Kryeministri Berisha shteroi financimin e pushtetit vendor, që ka sot në duart me pak instrumente se komitetet e dikurshme ekzekutive. "Nuk ka asnjë transferim të pronave te pushteti vendor. Jemi i vetmi pushtet vendor që nuk regjistron dot pronat e veta, për të ndërtuar shkolla, kopshte e çerdhe", është shprehur Rama. Sipas kryebashkiakut të Tiranës, vendorët nuk po marrin dot në dorëzim as ujësjellësit e kanalizimet, edhe pse Kryeministri i premtoi me bujë këto lëvizje. Rama akuzoi Berishën për se ka flakë në rrugë njerëz të aftë për t‘i zëvendësuar ata me pjesëtarë të klaneve në pushtet.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›