PR: Sistemi zgjedhor nuk mund të përcaktohet me referendum
Rikthehen debatet mbi reformën zgjedhore. Republikanët kundërshtojnë idenë e Avokatit të Popullit, që reforma zgjedhore të kryhet me referendum. Avokati i Popullit, Ermir Dobjani, ka hedhur një propozim të veçantë, që ka të bëjë me votimin me referendum të reformës zgjedhore. Ai ka propozuar që nga fundi i pranverës të bëhet një referendum me 5 pyetje mbi sistemin elektoral, nëse do të jetë proporcional apo mazhoritar dhe të zgjidhet edhe niveli i pragut. Kryetari i grupit parlamentar të Partisë Republikane, Arjan Madhi, deklaroi se "teknikisht është e pamundur që të bëhet përcaktimi i sistemit zgjedhor nëpërmjet një referendumi". Madhi tha se "ajo për të cilën politika sot nuk po gjen zgjidhje është pikërisht çështja e sistemit, për të cilin vlerësoj se më pak se kushdo në këtë debat politik mund të përfshihej Avokati i Popullit". Lidhur me deklaratën e Avokatit të Popullit, për zhvillimin e një referendumi për zgjedhjen e sistemit zgjedhor, Madhi u shpreh se "Avokati i Popullit duhet t‘u largohet konsideratave që kanë të bëjnë me këta elementë, të cilët janë të mirëfilltë politik, lidhur me përcaktimet e reformës zgjedhore". "Pra, sistemi në të gjithë teoritë e botës është një element politik dhe në këtë kuptim nuk mendoj se është në autoritetin dhe përgjegjësitë e Avokatit të Popullit që të shprehet mbi sistemin. Ndërkohë, politika shqiptare ka një vullnet absolutisht të shprehur qartë për reformën zgjedhore", deklaroi Madhi. Sipas tij, "për sa u përket problemeve të tjera që lidhen me administrimin e procesit, sigurisht që Avokati i Popullit është i mirëpritur për sugjerimet e tij". "Do të ishte absurde, se vetë referendumi do të kishte alternativat po-jo, ndërkohë që sistemet zgjedhore janë me dhjetëra. Do të ishte krejt e pamundur teknikisht, qoftë dhe nëpërmjet referendumit, të bëhej një përcaktim i sistemit", deklaroi Madhi. Në fund të fjalës së tij, kryetari i grupit parlamentar të PR-së deklaron se politika shqiptare ka një vullnet të shprehur qartë për reformën zgjedhore.