Përkujtohen viktimat e “21 Janarit”, homazhe në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”

TIRANË, 21 janar /ATSH/ Sot shënohen 15 vite nga 21 anari 2011, kur gjatë një proteste të Partisë Socialiste, në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, para Kryeministrisë, u vranë katër protestues nga Garda e Republikës.
Gjatë protestës u vranë Aleks Nika, Ziver Veizi, Faik Myrtaj dhe Hekuran Deda. Katër viktimat e 21 Janarit 2011 u shpallën Dëshmorë të Atdheut.
Kryeministri Edi Rama, Kryetari i Kuvendit, Niko Peleshi, ministra të kabinetit qeveritar së bashku me familjarë të katër protestuesve dhe deputetë të PS-së, kryen homazhe në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, pranë vendit ku më 21 Janar 2011 u vranë 4 protestues.
Kryeministri Edi Rama deklaroi sot në ceremoninë e përkujtimit të 4 viktimave të 21 Janarit se, pas 15 vitesh ende nuk është bërë drejtësi për 21 Janarin.
Duke folur përpara familjarëve të 4 viktimave të “21 Janarit”: Aleks Nikës, Ziver Veizit, Faik Myrtajt dhe Hekuran Dedës, Rama u shpreh se, “vetëm Zoti e di se me çfarë guri në zemër unë vij për në këtë godinë kur del drita e ditës së 21 janarit”.
“15 vjet pa drejtësi për 21 Janarin janë 15 vjetët e një padrejtësie të madhe, jo thjesht për disa, por mbi Shqipërinë dhe mbi popullin shqiptar”, u shpreh Rama.
Kryetari i Kuvendit, Niko Peleshi, theksoi se kujtesa është një detyrim njerëzor dhe institucional, ndërsa drejtësia është një detyrim që demokracia shqiptare u ka familjeve të viktimave dhe shoqërisë në tërësi. “Pa zbardhjen e plotë të së vërtetës dhe pa vendosjen e drejtësisë, besimi tek institucionet dhe paqja shoqërore mbeten të paplota”, tha Peleshi.
Ai shprehu solidaritetin e tij me familjet e viktimave, duke ritheksuar se nderimi i jetëve të humbura dhe mbrojtja e të drejtave themelore të qytetarëve janë themel i shtetit të së drejtës.
Homazhet u zhvilluan në një atmosferë reflektimi dhe respekti, si një thirrje për kujtesë, përgjegjësi shtetërore dhe përkushtim të pandërprerë ndaj vlerave demokratike dhe drejtësisë.
Në korrik të vitit 2024 Prokuroria e Posaçme (SPAK) rinisi zyrtarisht hetimet për 21 Janarin, pasi Gjykata e Strasburgut urdhëroi Strukturën e Posaçme të hetonte kallëzimin e bërë nga Rajmonda Nika, bashkëshortja e Aleks Nikës, ndaj Sali Berishës, ish-kryeministër, Lulzim Bashës, ish-ministër i Brendshëm dhe Ndrea Prendit, ish-kreu i Gardës së Republikës.
Gjykata e Strasburgut e ka cilësuar vrasjen e katër protestuesve si “krim shtetëror që duhej zbardhur”.
1 nga 17/gj.m/r.e/a.f/