E Diel, 1 Nëntor 2026

Vdekja e Trebickës, ekspertiza në SHBA

 

Trazhgim Sokolaj

Eksperti amerikan i policisë së Virxhinias, që mori pjesë në hetimin e vdekjes së biznesmenit Kosta Trebicka, largohet nga Shqipëria duke marrë me vete një sërë provash e të dhënash që bëjnë fjalë për ngjarjen. Mbi bazën e këtyre të dhënave dhe analizave të specializuara që atyre do t’u bëhen në SHBA, eksperti amerikan do të hartojë raportin e tij përfundimtar për ngjarjen e ndodhur në Lekas të Korçës, mesditën e 12 shtatorit 2008. Lajmi konfirmohet nga burime zyrtare të Prokurorisë së Përgjithshme, sipas të cilave pas përfundimit, raporti do t’i paraqitet institucionit shqiptar të akuzës me postë zyrtare. Drejtuesit e Prokurorisë së Përgjithshme, konfirmuan se eksperti amerikan i policisë së Virxhinias, Kevin Teter, u largua nga Shqipëria pas një qëndrimi 5-ditor, gjatë të cilit zhvilloi hetime dhe matje në vendin ku u gjet i vdekur Kosta Trebicka, analizoi skenën e ngjarjes dhe makinën e biznesmenit e cila mbahet e bllokuar në policinë e Korçës. Më pas ai bëri disa analiza me grupin hetimor të kësaj çështjeje në Prokurorinë lokale, si dhe dy raportime bashkë me ekspertët shqiptarë, para Kryeprokurores së vendit Ina Rama.
Ekspertiza
Pas pesë ditë qëndrimi në Shqipëri, eksperti amerikan i policisë së Virxhinias ka mbyllur fazën e mbledhjes së të dhënave dhe ka vendosur të largohet për të punuar me raportin në studion e tij në SHBA. Ai ka marrë me vete një dosje të plotë me të dhënat për ngjarjen ku humbi jetën Kosta Trebicka, ndërsa nuk ka dhënë asnjë koment për ngjarjen gjatë komunikimit me policinë, Prokurorinë dhe ekspertët shqiptarë. Sipas Prokurorisë, në dosjen e dërguar në SHBA përfshihen fotografitë dhe pamjet filmike të vendit të ngjarjes, pozicioni i makinës dhe kufomës, gjurmët e gomave të mbetura në diametrin ku lëvizi automjeti (të dhëna mbi këndin dhe shpejtësinë e lëvizjes së makinës), tabela fotografike të dëmtimeve që pësoi Kosta Trebicka, procesverbale të deklarimeve që kanë dhënë dëshmitarët në vendin e ngjarjes, planimetrinë e relievit të sipërfaqes në zonën ku ndodhi ngjarja dhe rezultatet e disa ekspertizave të zhvilluara në Shqipëri. Mbi bazën e të gjitha këtyre fakteve, mësohet se eksperti amerikan do të hartojë në SHBA raportin e tij për rindërtimin e asaj që ka ndodhur me biznesmenin Kosta Trebicka. Në rrugë zyrtare, ky raport, sapo të përfundojë në SHBA, do t’i dërgohet Prokurores së Përgjithshme, Ina Rama. Grupi hetimor i ngritur për vdekjen e Kosta Trebickës pritet të ketë në dispozicion një raport të dytë nga dy ekspertë shqiptarë, që tashmë po punojnë të pavarur nga specialisti amerikan.

Tjetër raport nga ekspertët shqiptarë

TIRANE – Pas largimit në SHBA të ekspertit amerikan, i cili jo vetëm që nuk ka lënë asgjë të shkruar, por edhe verbalisht nuk është shprehur për ngjarjen, dy ekspertët shqiptarë të thirrur nga Prokuroria, po vazhdojnë punën për hartimin e raportit mbi dinamikën e ngjarjes së ndodhur me Kosta Trebickën. Sipas burimeve të konfirmuara nga Prokuroria e Përgjithshme, eksperti amerikan i ardhur nga policia e Virxhinias, bashkë me dosjen e provave të nevojshme ka marrë me vete edhe bllokun e shënimeve që ka mbajtur gjatë këqyrjes së makinës së Kosta Trebickës dhe vendit, në të cilin biznesmeni 52-vjeçar me shtetasi shqiptaro-amerikane u gjet i vdekur në rrethana të paqarta.

“Aksidenti nga qeni, version i besueshëm”
Mundësia që vdekja e Kosta Trebickës të jetë shkaktuar nga qeni i gjahut që ai mbante me vete, konsiderohet nga hetuesit si varianti më i besueshëm dhe i mbështetur për ngjarjen. Sipas burimeve zyrtare nga hetimi, të gjitha të dhënat tregojnë se në një moment gjatë lëvizjes së makinës në vendin ku ndodhi ngjarja, qeni mund të ketë dalë para automjetit duke u bërë shkak për devijimin e makinës nga vetë Kosta Trebicka prej frikës se do vriste zagarin.

Dërgohen në morg edhe 3 ekspertiza të tjera
Prokuroria e Përgjithshme dhe ajo e Korçës ka dërguar edhe tri kërkesa në Institutin e Mjekësisë Ligjore në Tiranë, me qëllim kryerjen e verifikimeve të tjera rreth vdekjes së Kosta Trebickës. Mësohet se mostra biologjike të qenit të gjahut por edhe të vetë viktimës së ngjarjes, janë dërguar përsëri për ekspertime shkencore me qëllim zbardhjen e mundësisë që qeni të ketë lëvizur para makinës fare pranë saj, ku nuk shihej nga drejtuesi i mjetit.
 

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›