Përpjekje për t’u takuar me djalin e Trump, Rama: Njerëzit e familjes së presidentit të SHBA u detyruan të mohojnë këtë çmenduri të opozitës

TIRANË, 28 prill/ATSH/ Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, njëherazi kryetar i Partisë Socialiste, gjatë një takimi me mbështetës të PS-së në Petrelë, komentoi akuzat e ngritura së fundmi në medie për përpjekje nga ana e tij për t’u takuar me djalin e Presidentit të SHBA, Donald Trump, në Beograd.
Rama tha se pas personave që po përdorin një narrativë të tillë qëndron kreu i opozitës.
“Sot kishte futur në lojë, nëpërmjet një “çyryku” që mban afër familjen e presidentit Trump. Sipas tij, unë paskam bërë përpjekje për të shkuar në Beograd, prandaj dhe nuk vajta për t’i dhënë lamtumirën e fundit Papës në Vatikan. Po prisja të shkoja në Beograd, ku do të shkonte djali i presidentit Trump, aty me vëllaun tim, Vuçiç do futesha aty si “fanti spathi” e ta përshëndesja. Po kjo nuk u bë e mundur dhe dështoi”, tha Rama.
Kryeministri bëri të ditur se për këtë situatë u detyrua të reagojë edhe vetë familja e Presidentit.
“Por kur sheh se detyrohen njerëzit e familjes së presidentit të SHBA të mohojnë këtë çmenduri, të vjen turp se në fund të ditës, atje nuk e di njeri, e nuk e njeh njeri, përveç këtyre që marrin 6 milionë dollarë për ta njohur. Me 6 milionë dollarë, vjen “latifi” e na e prezanton të gjithëve, vjen “latifi” pa problem fare”, u shpreh Rama.
Problemi është, vijoi Rama, se pa ato 6 milionë dollarët as nuk e di njeri kush është.
“Çfarë u mbetet në mend, u mbetet Shqipëria. Ky është një udhëheqës shqiptar. Kjo është një forcë konservatore shqiptare, një çmenduri totale. Nuk di njeri, të qeshë apo të qajë”, vijoi më tej Rama.
Ai më tej foli edhe për udhëzimin e PD për të mos lejuar kandidatët e PD-së për deputet të komentojnë kontratën e PD-së për lobim në SHBA.
“Më e bukura, kishin shpërndarë një trakt, ku udhëzoheshin të gjithë kandidatët e “kënetës” të mos shkojnë në medie, pasi sipas tyre, ngaqë unë jam i tmerruar se po më afrohet dita e fundit, paskam imponuar që në të gjitha mediet të flitet vetëm për kontratën. Dhe që të mos spostohet vëmendja e popullit nga programi i Shqipërisë madhështore, duke vajtur këta e shpjeguar ku i gjetën 6 milionë dollarë”, deklaroi Rama. /j.p/