E Martë, 3 Nëntor 2026

Rama: Sondazhet thonë se shumica dërrmuese e shqiptarëve mendojnë që vendi po shkon në drejtimin e duhur

TIRANË, 28 prill/ATSH/ Kryeministri, njëherësh kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama deklaroi sot se sondazhet nxjerrin fituese të padiskutueshme PS-në në zgjedhjet e 11 majit.

Në fjalën e tij gjatë një takimi elektoral me socialistët në Petrelë, Tiranë, duke folur mbi akuzat e  analistëve politikë për kontrollin e mediave nga qeveria, Rama tha se “kjo çështja e kontrollit të mediave nga ana ime, nga ana jonë, është më kulminantja”.

“Nuk besoj se ka në ndonjë vend tjetër, në vendet demokratike perëndimore jo se aty mediat nuk janë këneta të angazhuara për kënetën politike, por as në vendet e tjera më pak të zhvilluara demokratikisht nuk ekziston një vend ku gjatë një fushate elektorale nuk ka një kanal të vetëm ku të shikosh njerëz që bëjnë sens kur flasin. Kaq e vërtetë është kjo sa mjafton t’i referohesh sondazheve”.

“Dalin sondazhet të gjitha pa përjashtim nga televizioni më i vogël tek më i madhi, nga sondazhistët italianë tek sondazhisti i Donald Trump, dora vetë, fitues i padikustueshëm është PS. Nxjerrin të gjithë që edhe kur pyetet populli kush do fitojë edhe gjysma e atyre që nuk na votojnë thonë do të fitojë PS”, tha Rama duke shtuar se nxjerrin që shumica dërrmuese e shqiptarëve mendojnë që vendi po shkon në drejtimin e  duhur.

Rama u shpreh se “këto media, këto moçale, këta individë medemek u kontrollokan nga unë dhe nga ne kanë shpjegimin e tyre për këtë, shpjegimi i parë është ‘populli shqiptar është një popull i sëmurë’. Shpjegim i bërë në ekran, nëse populli shqiptar mendon që ky vend po shkon në drejtimin e  duhur ky është një popull i sëmurë. Shpjegimi tjetër është që këtu ka dy rrugë ose janë çmendur këta që bëjnë sondazhe bashkë me sondazhet e tyre ose është çmendur populli shqiptar”.

Opsioni tjetër, vijoi Kryeministri, është që “Edi Rama e ka blerë popullin”.

“Opsioni tjetër është që mesa duket jemi në një regjim kaq autokratik dhe frika kaq thellë te njerëzit kur i pyesin kë do votosh thonë do votoj PS nga frika. Mund të ishin një pjesë e këtyre opinionistëve që i thonë, por si shpjegohet nuk dëgjova njërin, të lexoja njërin se mbase ky popull ka të drejtë , mbase vendi po ecën në drejtimin e  duhur, mbase ne nuk kuptojmë deri në fund atë që kuptojmë. Jo këta kuptojnë thellësisht që vendi është në një humnerë, më keq s’ka qenë asnjëherë, njerëzit po vdesin për bukë, nuk ka vend në varreza, të vdekurit janë rrugëve, nuk jepen se media kontrollohet nga qeveria, ujë nuk ka asgjëkundi, etja problem kryesor i vendit, pagat janë 200 mijë lekë etj”, tha Rama.

Më tej Rama u shpreh se “të mendosh që këta njerëz marrin mijëra e mijëra euro në muaj dhe asnjë prej tyre nuk bën deklarimin real të asaj që merr dhe qajnë hallin këta të pensionistëve, invalidëve, e në fund fare nuk paguajnë nga ajo që marrin as kontributin e sigurimeve shoqërore për pensionistët është kulmi i hipokrizisë”.

/k.s/j.p/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›