VIDEO/ Po kryente detyrën, efektivët e policisë intimidojnë Osman Stafën! Gazetari i News24: Më morën telefonin, më kërcënuan me arrestim
Një tjetër rast intimidimi dhe force është përdorur nga policia e shtetit në protestën e ditës së sotme pranë Kryeministrisë, ku pre e efektivëve ka qenë gazetari Osman Stafa.
Sipas denoncimit, gazetari Osman Stafa po filmonte momentin kur një qytetare po ndëshkohej me gjobë, kur një punonjës policie iu afrua dhe e pyeti se përse po filmonte. Pas përgjigjes se si gazetar kishte të drejtë të filmonte, ai pretendon se u kërcënua me shoqërim në komisariat.
Stafa tregon se më pas u rrethua nga 10-12 punonjës policie, disa me uniformë dhe të tjerë civilë, të cilët i kërkuan dokument identifikimi dhe e kapën nga krahët, duke i vendosur duart pas shpine.
Punonjësit i morën telefonin dhe ndërprenë filmimin, ndërsa për më shumë se 10 minuta e mbajtën të ndaluar, duke e kërcënuar se do ta shoqëronin në komisariat dhe do të kalonte natën në qeli.
Ai shton se personat e pranishëm nuk u lejuan të filmonin ngjarjen dhe se telefonin ia kthyen vetëm pasi punonjësit komunikuan me eprorët e tyre.
Debati i gazetarit Osman Stafa me efektivin:
Osman Stafa: Do më shoqërosh ti në komisariat?!
Polici: Prezantohu! Do shoqërohesh ti.
Osman Stafa: Mos u përfshi mër burrë, të lutem!
Polici: Prezantohu!
Osman Stafa: Më erdhi zotëria më tha mos filmo dhe do shoqërohesh në komisariat. Do më shoqërosh në komisariat?!
Polici: Për 5 like?!
Osman Stafa: Ska të bëjë fare për like. Është për njerëzit, është puna ime. Hajde më shoqëro me ato kërcënimet për të shoqëruar! Dhe një herë mos më thuaj mua se ske të drejtë, filmoj ku të dua unë.
Polici: Nuk mund të më thuash mua më do qejfi!
Osman Stafa: Po more, filmoj ku të dua, mos më prek të lutem! Dhe unë jam gazetar, mos ma ngri zërin! Më njeh ti mua?! Hiqe more dorën çfarë po më bën more!

DËSHMIA E GAZETARIT OSMAN STAFA:
Kam qenë duke filmuar një rast të vendosjes së gjobës ndaj një qytetareje, pranë Piramidës. Punonjësi i policisë m’u afrua dhe më pyeti pse po filmoja. Iu përgjigja se filmoj ku të dua, si gazetar.
Përgjigjja ishte se do të shoqërohesha në komisariat dhe se nuk mund të filmoja një punonjës policie. Ky ishte një intimidim dhe kërcënim që m’u bë nga punonjësit e policisë. Njëri me uniformë dhe të tjerët civilë. Pas kërcënimeve dhe intimidimeve lidhur me faktin se pse po filmoja, ndeza telefonin dhe i pyeta pse do të më shoqëronin dhe pse po më kërcënonin.
Pas këtij momenti, civilët më rrethuan dhe, edhe pse më identifikuan si Osman, më kërkuan bexhin. Më pas, më deklaruan se do të më shoqëronin dhe më kapën nga krahët, duke m’i vendosur duart pas shpine për të më ndaluar. Ma morën telefonin dhe ndaluan videon.
Më pas, më vendosën krahët pas kurrizit dhe kërkuan të më ulnin në tokë. Ishin 10-12 civilë dhe punonjës policie. Më pas, kërkuan një makinë për të më shoqëruar dhe më mbajtën të ndaluar për më shumë se 10 minuta. Gjatë kësaj kohe, më deklaronin se do ta kaloja natën në komisariat. Asnjë personi tjetër nuk i lejuan të filmonte. Telefonin nuk ma kthyen. Vetëm pasi u lajmëruan shefat dhe kuptuan se çfarë kishin bërë, u larguan dhe ma dhanë telefonin.
Ajo që ndodhi ishte një intimidim i pastër dhe një kërcënim që m’u bë teksa po filmoja veprimet e policisë ndaj qytetarëve. Punonjësit e policisë, edhe pse më identifikuan si Osman (më thirrën në emër), vijuan me veprimet e tyre antiligjore, duke më ndaluar të filmoja, duke më sekuestruar telefonin dhe duke mos më lejuar të lëvizja për më shumë se 10 minuta.
Gjatë kësaj kohe, kërcënimet se do të arrestohesha, se do ta kaloja natën në burg dhe se do të shoqërohesha ishin të vazhdueshme. Pasi komunikuan me shefat, u larguan dhe ma dhanë telefonin.