E Diel, 1 Nëntor 2026

Pezullimi i zv.kryeministres në Kushtetuese, Rama: Ankimimin e kam bërë unë si Kryeministër, ruajmë balancën mes pushteteve

Kryeministri Edi Rama ka reaguar sot lidhur me ankimmin në Gjykatën Kushtetuese të pezullimit të Ministres të Infrastrukturës dhe Energjisë, njëherësh dhe zv.kryeministres Belinda Balluku, duke sqaruar se kjo kërkesë, në këtë institucion, është bërë prej tij në cilësinë e Kryeministrit dhe jo si individ.

Rama deklaroi se ankimimi nuk ka të bëjë me mbrojtjen e një personi të veçantë, por me mbrojtjen e parimeve themelore kushtetuese që garantojnë ndarjen e pushteteve në Shqipëri. Sipas tij, pezullimi i një anëtari të Këshillit të Ministrave nga një prokuror apo gjykatës përbën cenim të kompetencave të ekzekutivit.

“E dini kush e ka ankimuar në Gjykatën Kushtetuese pezullimin e ministres? E kam ankimuar unë si Kryeministër, jo si Edi Rama. Dhe jo për individin, por për parimin e moscenimit të balancës mes pushteteve”, u shpreh Rama.

Ai shtoi se kjo është një betejë institucionale, e cila lidhet me standardet e përcaktuara edhe nga Komisioni i Venecias, që sipas tij e konsideron të palejueshme ndërhyrjen e një pushteti në kompetencat e tjetrit.

“Kjo është betejë gjyqësore për të mos lejuar atë që nga Venecia konsiderohet shkelje e palejueshme e kufirit ndarës të pushteteve“, tha Rama.

Kryeministri theksoi se nuk po ushtron presion ndaj gjyqësorit, por po i flet publikut për parimin e pavarësisë së pushteteve dhe kompetencave që Kushtetuta ia njeh qeverisë dhe Parlamentit.

“Flas për publikun, për balancën mes pushteteve, për lirinë kushtetuese të Kryeministrit për të vendosur për përbërjen e ekzekutivit dhe të drejtën ekskluzive të Parlamentit për ta miratuar atë”, deklaroi Rama.

Sipas Kryeministrit, nëse pezullimi i një ministri nga një prokuror e gjykatës sot do legjitimohej si një e drejtë e ligjshme e drejtësisë, atëherë shtrirja e krahut të gjyqësorit përtej kufirit ndarës me ekzekutivit dhe jetën politike shqiptare do krijonte precedentë unikal të rrezikshëm dhe kërcënues.

Ai thekson se duke i hapur duke i hapur rrugë presioneve politike ndaj qeverisë dhe manipulimit të ekzekutivit përmes proceseve penale, do ndodhte diçka që është e panjohur në Europë.

Rama u ndal më tej dhe te sulmet e opozitës, duke nënvizuar se “Duhet të jesh i verbuar nga urrejtja politike për ta kthyer dhe këtë konflikt kompetencash mes ekzekutivit dhe gjyqësorit, në një konflikt politik siç bëjnë fatkeqësisht të mbyturit e kënetës”.

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›