E Diel, 1 Nëntor 2026

Pikëvështrime gjeopolitike rreth pavarësisë

Pas pavarësisë së shumëpritur të Kosovës, pas ndjenjave të përziera të gëzimit, krenarisë dhe dinjitetit të rifituar, ja ku vijmë në pyetjet, dyshimet dhe pasigurinë në të ardhmen. Dhe kjo vjen më shumë si pasojë e mjegullës, që e ka burimin në padijen e shumë prej nesh, por edhe në keqdashjen e disa prej analistëve tanë. E dimë të gjithë se shpallja e pavarësisë së Kosovës është rezultat i një procesi të paktën njëshekullor. Ky proces pati pikën e tij kulminante në vitin 1999 e që mund ta kishte pasur pikën e tij kulminante shumë më parë, por diktatura komuniste gjysmëshekullore, veç tmerreve që na bëri të durojmë, na ndau nga aleatët tanë të natyrshëm e na vendosi në krah të vendeve që kishin synimet më dashakeqe ndaj nesh.

Shqiptarët sot, e theksoj shqiptarët dhe jo vetëm Kosova, kanë rifituar miqësinë e Shteteve të Bashkuara dhe mirëkuptimin e shumicës së vendeve evropiane. Kjo miqësi, ky mirëkuptim apo kjo ndihmë nuk vijnë në mënyrë të rastësishme. Është e vërtetë që ndihma ndaj shqiptarëve erdhi edhe në sajë të rikthimit të moralit në politikëbërjen botërore. Vitet nëntëdhjetë të shekullit të kaluar ishin vitet e ardhjes në pushtet të udhëheqësve të tipit Clinton dhe Blair, të cilët futën një dozë të lartë moraliteti në politikën e tyre të jashtme. Biles edhe Franca, e njohur për serbofilinë e saj, me ardhjen e Presidentit Chirac në pushtet bëri një reflektim shumë të madh në lidhje me pasojat e politikës së saj të dyshimtë ne gjenocidet në Ruanda dhe Bosnjë.

Këto përvoja të hidhura e bënë Francën të marrë një vendim jo të lehtë në lidhje me ndërhyrjen për bombardimin e Serbisë në vitin 1999 krahas Shteteve të Bashkuara dhe Mbretërisë së Bashkuar. Kjo kthesë moraliste e Francës në politikën ndërkombëtare u vërtetua me qëndrimin që Presidenti Sarkozy dhe ministri i Jashtëm, Kouchner, mbajtën në lidhje me pavarësinë e Kosovës. E gjitha kjo për të treguar që kundërshtimet e disa vendeve evropiane në lidhje me pavarësinë e Kosovës janë artificiale dhe të përkohshme. Për këtë, mjafton t‘i hedhim një sy vendeve evropiane që e kundërshtojnë më me forcë pavarësinë e Kosovës.

Për sa i përket kundërshtisë së Spanjës, ajo e ka burimin në shkaqe të brendshme, të cilat edhe pse janë reale janë të pakrahasueshme me Kosovën. Le të kujtojmë së pari se banorët e krahinës së Galicisë, edhe pse të organizuar në rryma politike autonomiste, e konsiderojnë veten më spanjollë se spanjollët vetë. Edhe Katalonja, e cila ka një identitet të qartë dhe një ekonomi të zhvilluar, e ndien veten të rehatshme me autonominë e gjerë që zotëron. Ndërsa Baskët, kërkesa e të cilëve për pavarësi është e njohur, kanë marrë goditje shumë të rënda nga policia franceze dhe policia spanjolle kohët e fundit. Krerët e lëvizjes për pavarësi janë arrestuar në shumicën e tyre dhe strukturat e lëvizjes për pavarësi janë dobësuar dhe po dobësohen ndjeshëm. Ky është një ndër shkaqet pse kundërshtia e spanjollëve për të njohur Kosovën e pavarur është bërë më e theksuar, pasi pavarësia e Kosovës mund të riforcojë strukturat e lëvizjes për pavarësi të Baskëve. Duke qenë se kjo është një çështje e ndjeshme për opinionin publik spanjoll, kundërshtia e pavarësisë së Kosovës po përdoret edhe për të korrur sa më shumë vota gjatë zgjedhjeve të përgjithshme që do të mbahen së shpejti. Me kalimin e zgjedhjeve dhe me ftohjen e gjakrave pas fushatës të arrestimeve të krerëve të lëvizjes baske, Spanja pritet të njohë Kosovën e pavarur.

Ndërsa po të interesohemi mbi rastin e Qipros situata është e krahasueshme me atë të Spanjës. Ajo që mund t‘i ndërlikojë gjërat me Qipron është influenca e madhe e rusëve, e serbëve dhe e grekëve në ishull. Pasanikët rusë duke përfshirë njerëzit që kontrollojnë majat e politikës ruse ruajnë pasurinë e tyre në Qipro. Të njëjtën gjë bëjnë edhe kriminelët serbë të pasuruar gjatë luftërave në Ballkan. Ndërsa Greqia kërkon ta përdorë Qipron si kundërshtuese të drejtpërdrejtë të pavarësisë së Kosovës për të mos dalë vetë në skenë. Me gjithë këto influenca negative, Qipro do të duhet të rreshtohet me vendet e tjera evropiane. Për momentin ajo kapet fort pas situatës ende të pazgjidhur midis pjesës greke dhe pjesës turke të ishullit. Por duhet theksuar fakti që në zgjedhjet e fundit presidenciale Presidenti Tasos Papadhopulos nuk arriti të kalojë as në raundin e dytë. Ai ishte pengesa kryesore e pranimit të planit të Kombeve të Bashkuara mbi bashkimin e Qipros. Kandidati komunist, i cili i fitoi zgjedhjet është për afrimin me Qipron turke. Ky afrim është pranuar tashmë nga Turqia dhe nga Qipro turke çka do të thotë se pranimi i bashkimit të dy Qiprove nga ana e Qipros greke i heq çdo argument Qipros mbi kundërshtinë e njohjes së Kosovës.

Një tjetër kundërshtare e pavarësisë së Kosovës është Rumania. Rumania ka një minoritet të fortë hungarez prej dy milionë banorësh. Mirëpo, minoriteti hungarez në Rumani gëzon të drejta të gjera. Ai merr pjesë në pushtetin vendor dhe qendror dhe kërkesat e tij përqendrohen rreth zgjerimit të autonomisë. Rumania ka edhe një problem tjetër, këtë radhë me Transnistrinë. Pikësynimet rumune janë të bashkohen me Moldavinë dhe si rrjedhojë edhe republikën e vetëdeklaruar të pavarur të Transnistrinë. Pra, Rumania po kërkon të bëjë lojë të madhe dhe të luajë në shumë drejtime. Për këtë asaj i duhet ndihma e Shteteve të Bashkuara edhe të Bashkimit Evropian. Ka shumë gjasa që kjo ndihmë t‘i sigurohet dhe shteti rumun të njohë Kosovën e pavarur në një moment të përshtatshëm për realizimin e synimeve të veta. Duhet ditur se varësia rumune ndaj Shteteve të Bashkuara është e tillë që nuk pritet një kundërshtim i gjatë për njohjen e Kosovës. Ky arsyetim vlen edhe për vende të tjera si Sllovakia.

Megjithatë, lojën më intriguese në këtë ballo kundërshtuesish po e bën Greqia. Greqia kishte një rast shumë të mirë historik për t‘i shtrirë dorën e miqësisë shqiptarëve. Me njohjen e menjëhershme të Kosovës ajo do të bënte një hap të rëndësishëm drejt normalizimit të marrëdhënieve me shqiptarët. Por ajo nuk e bëri dhe në fakt pritej të mos e bënte. Arsyet janë të njohura ose lehtësisht të imagjinueshme. Greqia nuk do të ketë me shqiptarët marrëdhënie mbi bazën e reciprocitetit, por mbi bazën e vasalitetit. Reagimi i saj është intaçor dhe jo i arsyeshëm duke ditur se përforcimi i faktorit shqiptar në Ballkan është një proces i pakthyeshëm dhe i përkrahur nga Shtetet e Bashkuara dhe vendet më të mëdha evropiane. Greqia dhe klasa e saj politike jeton në një gjendje deliri që i bën të jenë mosmirënjohës ndaj atyre që e kanë ndërtuar dhe e kanë përkëdhelur, Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian. Deliri donkishotesk grek shkon deri aty sa ta konsiderojë Greqinë të rrethuar nga armiqtë, turqit pikësëpari, por edhe shqiptarët që sa vjen dhe po përforcohen. Ky delir e çon atë të hidhet në krahët ortodoksë rusë. Kjo sjellje politike e Greqisë e ka burimin në rolin që feja ka në shoqërinë greke. Në këtë pikë, Greqia ngelet ndër vendet më të prapambetura të hapësirës evropiane, pasi botëkuptimi politik grek njëjtëson në mënyrën më të gabuar fenë me politikën.

Ky vështrim i shkurtër gjeopolitik është i nevojshëm për të prekur arsyen e dytë për të cilën Shtetet e Bashkuara dhe shumica e vendeve evropiane vendosën të ndërhyjnë dhe të mundësojnë pavarësinë e Kosovës. Kjo arsye qëndron në zvogëlimin e influencës ruse në Ballkan. Lidhja që Shtetet e Bashkuara po kërkojnë të krijojnë me Shqipërinë është e barazvlefshme me marrëdhëniet që Shtetet e Bashkuara kanë me Turqinë. Duke ditur se në Ballkan ka jo pak shtete rusofilë si Serbia, Greqia apo Bullgaria, fuqizimi i vendeve të tilla si Turqia, Shqipëria apo Kroacia është i domosdoshëm. Përmbajtja e ekspansionit rus në "ujërat e ngrohta" është një konstante gjeopolitike e pandryshuar e politikës amerikane. Ky qëllim përkon edhe me interesat e shumicës së vendeve evropiane. Për Bashkimin Evropian, zvogëlimi i influencës ruse në Ballkan do të thotë çminim i marrëdhënieve midis shteteve të Ballkanit dhe krijim i një atmosfere të ekuilibruar që do t‘i japë rajonit paqe dhe stabilitet.

Si pasojë, ne duhet të nxjerrim përfundimet tona në lidhje me situatën e krijuar gjeopolitike dhe të ndërmarrim veprimet e duhura në funksion të interesit tonë kombëtar. Ne kemi tashmë dy shtete shqiptare të pavarura, të cilat janë të njohura dhe të përkrahura nga Shtetet e Bashkuara dhe nga Bashkimi Evropian. Pohimi se kjo mjafton të jemi një komb është i gabuar. Pjesëtarët e një kombi duhet të ndajnë ditët e mira dhe ditët e këqija me njëri-tjetrin. Në qoftë se zhurma ndërkombëtare e krijuar me rastin e pavarësisë së Kosovës na pengon të realizojmë bashkimin formal të të dy shteteve, asgjë nuk na pengon të bashkërendojmë politikat në të gjitha fushat në mënyrë që të ndërtojmë një politikë të vërtetë kombëtare.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›