E Diel, 1 Nëntor 2026

Detyrat tona pas shtetësisë

1. Shteti u krijua. Nisi edhe njohja e tij. Së shpejti, pavarësia e Kosovës do të njihet nga të gjitha shtetet e rëndësishme të botës. Festimet te ne po vazhdojnë. Shumë dinjitetshëm u kremtua e po kremtohet pavarësia e Kosovës. 17 shkurti hyri në histori, si dita kur u shpall shtet Kosova. Tash na presin punë të tjera, po aq të rëndësishme si deri para këtij akti të madh kombëtar. Cilat janë këto? Janë veprimet që ia japin karakterin një shteti për të pasur themele të forta. Për të pasur një perspektivë të sigurt. E para, duhet të stabilizohet gjendja energjetike. Një shtet, për të pasqyruar shtetësi, në asnjë mënyrë, nuk duhet t‘ia lejojë vetës errësirën e orarizuar. Hapi tjetër i domosdoshëm yni është që ta shuajmë përgjithmonë nocionin "korrupsion". Ai politikan që korruptohet, është peng i ofertuesit të korrupsionit. Si i tillë, është i padobishëm për shoqërinë. I padobishëm për politikën. I padobishëm për kombin. E, kësi politikanësh, më nuk duhet të kemi kurrë, për hir të forcimit të themeleve të shtetësisë së Kosovës. Ai politikan që nuk ka ndërgjegje, po u zgjodh në ndonjë post të rëndësishëm politik, do të korruptohet. Por detyrë e tërë politikës sonë duhet të jetë që njerëzit pa ndërgjegje, të mos zgjidhen askund. Politika jonë duhet të ketë kujdes tepër të veçantë se kush duhet t‘i përfaqësojë institucionet shtetërore. Gjithmonë duhen zgjedhur politikanët nga mesi i njerëzve më të zotë që ka struktura jonë politike. Duke vepruar kësisoj, kurrë nuk do të mund të ndodhë që askush të luajë me fatin e intelektualëve të zotë. Se edhe poshtërimi i intelektualëve të mirëfilltë, nuk duhet të lejohet, për të pasur themele të forta shtetësie. Kujdesi ndaj intelektualëve të mirëfilltë, është kujdesi që një shtet ia bën vetvetes. Këtë duhet ta kuptojmë qartë që të gjithë.

2. Së shpejti, do të zgjidhen edhe ambasadorët në të gjitha ato vende që e kanë njohur shtetësinë e Kosovës. Edhe këtu duhet të kemi kujdes të veçantë, që të na përfaqësojnë më të aftit. E jo ata t‘i caktojnë klanet e nënklanet. Ambasadorët e pasqyrojnë në arenën ndërkombëtare se çfarë është një shtet. Të paaftit, sado që do të mund të funksiononte përbrenda perfekt një shtet, ia krijojnë imazhin e dobët. Të aftit, edhe po të mos funksionojë si duhet së brendshmi shteti nga problemet që mund të dalin pas shtetësisë, pasqyrojnë në arenën ndërkombëtare imazh të mirë për të. E, pra, na duhet t‘i harrojmë metodat që, përmes lidhjesh e nënlidhjesh, të zgjidhemi në ndonjë post të rëndësishëm shtetëror. E as në poste të tjera të rëndësishme. Edhe shumë hapa të tjerë na duhen për t‘ia vënë Kosovës themelet sa më të forta të shtetësisë. Ndër ta, është i domosdoshëm të përmendet patjetër edhe ky: ta lëmë garën kush e bëri historinë tonë të re. Kjo garë, në terrenin politik, duhet të marrë fund. Duhet t‘i lihet historisë dhe historianëve. Po u mor politika me garën se kush e bëri historinë tonë kombëtare, do t‘i shkaktojë Kosovës vetëm probleme. E rëndësishme është që u krijua shteti. Të tjerat i takojnë historisë e jo përditshmërisë politike. Ata që do të tentojnë ta mbajnë në kontinuitet këtë garë, do t‘i sjellin pengesa vetëm shtetësisë së Kosovës. Asgjë më shumë, sepse kontributin se kush e bëri shtetin, nuk do të mund ta shfrytëzojë asnjë krah politik e asnjë lider. Tentimi për ta theksuar kontributin kombëtar prej Ismail Qemalit, pas 17 shkurtit, do të jetë rrënim në politikë për ata që do të ndihen të tillë. Se çështja e aktit të themelimit të shtetit, përfundoi. Kush bëri më shumë e kush më pak për shtetin, s‘ka më fare rëndësi për popullin. Kjo tash është vetëm çështje e historisë. Populli do t‘i mbështesë vetëm ata që do t‘ia krijojnë Kosovës bazat e forta të perspektivës së shtetësisë. Dhe të perspektivës së popullit. Nëse këta aktualët e bëjnë këtë, do të mbijetojnë në skenën politike. Nëse nuk e bëjnë, s‘do të mund t‘i mbajë në skenë thirrja se "unë isha Ismail Qemali i Kosovës". Ata do të mund të përjetësohen në këngë, si u përjetësua Ismail Qemali. Por, këto këngë nuk do t‘u mjaftojnë, për faktin se populli tash ka hyrë në jetën e vet të passhtetësisë. Këtë jetë e përcepton ndryshe. Do të votojë vetëm për ata që përpiqen t‘ia bëjnë jetën e lumtur në shtetin e Kosovës. Historia s‘i bën më punë askujt në politikë. Për këtë, duhet të jetë shumë e vetëdijshme tërë struktura jonë politike. Thirrja se "unë e bëra historinë kombëtare", do të hasën në veshin e shurdhër të popullit, që kërkon një jetë të lumtur pas shtetësisë. Puna do të jetë ajo që do ta ngrejë ose do ta zbresë dikë nga pushteti...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›