E Diel, 1 Nëntor 2026

Shqipëri-Kosovë, marrëveshje bashkëpunimi për pushtetin lokal

Ministri i Brendshëm, Bujar Nishani, shprehu dje në një takim me ministrin e Administrimit të Pushtetit Lokal të Republikës së Kosovës, Sadri Ferati, gatishmërinë për të bashkëpunuar ngushtësisht me Ministrinë e Pushtetit Lokal të Kosovës, për shpeshtimin e kontakteve dhe takimeve të të gjitha niveleve, e në veçanti në nivel ekspertësh. Në takimin e zhvilluar në mjediset e Ministrisë së Brendshme, ministri Nishani e njohu Feratin me reformat më të rëndësishme të ndërmarra nga qeveria në drejtim të decentralizimit të pushtetit vendor, duke përfshirë edhe përgatitjen e strategjisë së decentralizimit. Nishani përmendi si zhvillime të rëndësishme për ecurinë më të mirë të qeverisjes vendore, delegimin e kompetencave, transferimin e pronave publike në varësi të pushtetit vendor, rritjen e trefishtë të grantit krahasuar me vitin 2005, aplikimin e granteve konkurruese dhe një sërë nismash ligjore, ndër to edhe e drejta për huamarrje, që i vijnë në ndihmë të drejtpërdrejtë pushtetit vendor. Ndërsa Ferati, i cili shoqërohej edhe nga Kryetari i Komunës së Prishtinës, Isa Mustafa, u shpreh në takim se qeveria e Kosovës është në fazën e përgatitjes dhe implementimit të disa ligjeve të rëndësishme që i takojnë qeverisjes vendore dhe financave vendore. Ministri Ferati informoi ndërkohë edhe për procesin e transferimit të kompetencave për shërbimet publike në drejtim të pushtetit vendor dhe shprehu gatishmërinë e Ministrisë së Pushtetit Lokal të Kosovës për bashkëpunim me Ministrinë e Brendshme të Shqipërisë, në të gjitha fushat dhe përgatitjen e një marrëveshjeje mirëkuptimi për këtë qëllim. Në përfundim të takimit u ra dakord që ekspertët e të dyja palëve të punojnë për hartimin e një marrëveshjeje bashkëpunimi në fushën e administrimit të pushtetit lokal.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›