Xhaferri: Maqedonia, të njohë shtetin e Kosovës
Ish-kreu i PDSH-së, Arbën Xhaferri, kërkon nga Shkupi njohjen e pavarësisë së Kosovës. Në një intervistë për agjencinë INA, Xhaferri thekson se Maqedonia përfiton shumë nga marrëdhëniet e mira me Kosovën...
Z.Xhaferri, kur mendoni se Maqedonia do ta pranojë pavarësinë e Kosovës?
Mendoj se njohja e Kosovës është në të mirë të Maqedonisë, sepse në këtë mënyrë do të sillet si vendet e tjera më demokratike në botë, vendet e BE-së dhe SHBA-të. Domethënë këto procese janë sprovë dhe një provim për përcaktimet strategjike të shtetit. Vlerësoj se Maqedonia është para një vendimi strategjik, se në cilin drejtim do të shkojë në të ardhmen. Maqedonia nuk ka alternativë tjetër, përveçse të shpejtojë procesin e afrimit në NATO dhe BE. Nëse kjo do të ishte kështu, atëherë në interes të Maqedonisë është që sa më shpejt të njohë Kosovën. Kjo më shumë është në interes të Maqedonisë se sa të Kosovës, për shkak se bëhet fjalë për përcaktime strategjike.
Në Mitrovicën Veriore po vazhdojnë protestat dhe refuzimi serb për të njohur realitetin e shtetit të ri të Kosovës. A ekziston rreziku i ndarjes së Kosovës?
Ndarja e Kosovës nuk mund të ndodhë, sepse në veri të Mitrovicës janë të pranishëm pjesëtarët KFOR-it, që garantojnë vendimet politike që janë marrë në qendrat perëndimore siç janë BE-ja, NATO-ja dhe SHBA-të. Serbët sërish do të përballen me politikën e tyre të inateve, e cila do të zgjasë deri atëherë sa do të ketë interes nga ky inat. Tani për tani nuk vërehet, por së shpejti serbët do të vetëdijësohen se nuk ka alternativë për ta, përveç se të kyçen në proceset euroatlantike. Vlerësoj se këto ditë punohet për një inat tipik të politikës serbe, që nxit turmat për të protestuar gjithçka. Ata u sollën po në këtë mënyrë edhe kur sllovenët shpallën pavarësinë. Kishte një luftë 10-ditëshe, por më vonë e kuptuan se nuk mund të bllokojnë proceset historike. Ka pasur gjithashtu konflikt në Kroaci, kur ajo shpalli pavarësinë dhe në Bosnjë-Hercegovinë më pas. Falë Zotit, në Maqedoni nuk ka pasur konflikt, sepse serbët frikësoheshin nga përfshirja e Bullgarisë, për shkak se qëllimet për luftën kanë qenë edhe në Maqedoni. Frika nga Bullgaria ndërpreu paradën e ushtrisë jugosllave në Maqedoni.
Si do ta komentonit vandalizmin dhe sulmet serbe ndaj ambasadës amerikane dhe atyre evropiane në Beograd?
Në fakt ideologjia që bazohet në shikimin e shtrembëruar drejt botës nuk është çrrënjosur nga kokat e politikanëve serbë. Vlerësoj se të gjithë serbët mendojnë në mënyrë të njëjtë, ashtu sikurse udhëheqësit e tyre politikë. Vjedhja masive e dyqaneve, turmat që digjnin gjithçka, ishin të ndryshme nga përcaktimet politike të udhëheqësve serbë. Në Beograd u pasqyrua se në çdo shoqëri ka dallime dhe mendime të ndryshme. Me këto demonstrata u pa se, siç edhe ka thënë një analist malazez, se ka serbë në Beograd që janë të gatshëm për të dhënë Patrikanën e Pejës për një palë atlete....