E Diel, 1 Nëntor 2026

Bush mund të vizitojë Kosovën në prill

Presidenti i SHBA-së, Xhorxh Bush, mund të zhvillojë një vizitë në Kosovë pas Samitit të NATO-s, që do të mbahet në Bukuresht në muajin prill. Pas shpalljes së pavarësisë dhe njohjes së saj në mënyrë të menjëhershme nga Presidenti i SHBA-ve, Xhorxh Bush, mund të vizitojë Kosovën së shpejti. Lajmi është bërë i ditur nga disa media kroate, të cilat veçmas konfirmojnë vizitën e Presidentit amerikan në Kroaci. Sipas tyre, kreu i Shteteve të Bashkuara të Amerikës mund të jetë gjatë muajit prill në Kroaci dhe Kosovë. Vizita është planifikuar pas Samitit të NATO-s në Bukuresht. Nëse informacioni konfirmohet, kjo do të ishte vizita e dytë e një Presidenti amerikan në një territor me popullsi shqiptare. Presidenti Bush vizitoi Shqipërinë më datën 10 qershor të vitit të kaluar, një vizitë historike, që tërhoqi vëmendjen e të gjithë komunitetit ndërkombëtar.

Presidenti Bush, gjatë fundjavës, diskutoi për zhvillimet në Kosovë, pas shpalljes së pavarësisë, në takime të ndara me kreun e NATO-s dhe Kryeministrin danez. Presidenti i SHBA-së, Xhorxh Bush, dhe shefi i NATO-s, Jaap de Hop Shefer, diskutuan gjatë takimit, në Shtëpinë e Bardhë, konfliktin në Afganistan, planet amerikane rreth mbrojtjes raketore dhe përgatitjet për takimin e Bukureshtit në prill. Roli i NATO-s në Kosovën e pavarur ishte një temë tjetër e bisedimeve Bush-Shefer.

"Misioni i NATO-s në Kosovë është misioni i dytë më i rëndësishëm për Aleancën. 16 mijë trupa të NATO-s janë aty për t‘i mbrojtur të gjithë kosovarët, shumicën, pakicën, shqiptarë dhe serbë, në mënyrë që Kosova të ketë një të ardhme", tha Shefer.

Ndërkaq, Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, tha se nuk ka dhe nuk duhet të ketë vend për panik, pasi çdo pjesë e Kosovës është e sigurt dhe nuk do të ketë ndryshim të kufijve të Republikës së Kosovës. Thaçi e ka përsëritur deklaratën e tij, gjatë një takimi me banorët e fshatrave Vinarcë dhe Gushavcë të Mitrovicës. "Jam këtu që të përcjell mesazhin e qartë se për Kosovën dhe as për Mitrovicën nuk ka veri dhe jug, por ka Kosovë dhe Mitrovicë për të gjithë qytetarët e saj. Kosova është vendi më i mbrojtur dhe me kufijtë më të mbrojtur në rajon", tha Thaçi.

Njohja kaq e shpejtë e saj si shtet i pavarur e sovran nga vendet më të fuqishme botërore, paraqet një rast të veçantë, thonë deputetët kosovarë. Sipas tyre, tani Kosovës i mbetet të konkurrojë për mekanizmat financiarë ndërkombëtarë. Pas njohjes, Kosovës i mbetet të vendosë edhe marrëdhënie diplomatike me vendet tjera. Ndërkaq, sfidë më vete, mbetet edhe anëtarësimi i saj në organizatat dhe mekanizmat ndërkombëtarë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›