E Diel, 1 Nëntor 2026

"Po të nderoi rrënja jote, të ka nderuar kozmosi"

Është bërë një gabim, pasi para meje i takonte Prof. Adriatik Kallullit të shpallej "Nderi i Bregdetit". Kështu tha modestisht kritiku dhe studiuesi i përndjekur nga diktatura, Miho Gjini, në një festë të vërtetë për njerëzit e letrave, organizuar në Lukovë, ku në qendër të vëmendjes ishte kritiku dhe studiuesi i letërsisë dhe arteve, prof.dr. Adriatik Kallulli. Me iniciativën e kryetarit të Komunës së Lukovës, Vladimir Kumi, dhe me mbështetjen e këshillit komunar, është zyrtarizuar shpallja "Qytetar Nderi i Bregdetit" për kritikun dhe studiuesin e artit, me përmasa përtej kombëtares, me origjinë nga fshati Sasaj i Bregdetit. Kontributi më shumë se 40-vjeçar i tij në fushë të studimit dhe kritikës dhe lidhja e fortë me vendlindjen dhe njerëzit e shumtë që i ka dhënë artit në tërësi krahina e Bregdetit, kanë qenë arsyeja e plotë për ta kthyer "djalin te shtëpia". Minella Gjoni, mësues dhe studiues i historisë dhe i traditave të kësaj zone, ka kumtuar për vlerat dhe kontributet e kritikut Kallulli në fushën e vet, duke thënë se nuk nderohet profesori duke marrë këtë titull, por Bregdeti dhe banorët e tij dhe duke uruar e dëshiruar që kjo të paraprijë shpalljen e tij "Nderi i Kombit". Një "dolli" më shumë ka qenë në gëzimin e festës së krijuesve me protagonist Prof. Kallullin, ka qenë mesazhi që poeti i shquar, Dritëro Agolli, i ka drejtuar atij, publikuar në numrin e fundit të gazetës "Shkrimtari", që boton dega e Lidhjes së Shkrimtarëve të Sarandës.

Një grup nxënësish të shkollës së Lukovës kanë dhuruar puthje dhe lule për kritikun dhe studiuesin Kallulli dhe miqtë e tjerë që e shoqëronin: Prof. Dr. Josif Papagjoni, kritik dhe studiues arti, kompozitori i njohur, Aleksandër Lalo, romancierja nga Vlora, Vilhelma Haxhiraj, pedagogu i universitetit "Eqrem Çabej" Robert Çela, poetesha Andriana Dhrami etj. Kompozitori Aleksandër Lalo, që ka qenë i pranishëm edhe si dhëndër i anëve të Bregut, ka përshëndetur në mënyrën e vet, me ngarkesa humori dhe emocioni. Vjehrra ime nuk dinte ta thoshte fjalën "kompozitor", kur e pyesnin se çfarë pune bëja unë dhe u përgjigjej shkurt: "bën atë punë që nuk e bën njeri". "Në fakt, atë që nuk e bën njeri, ka bërë për letërsinë dhe artin shqiptar e më gjerë Profesor Kallulli" - ishte "morali i fabulës" në fjalët që tha kompozitori i shquar, plot humor dhe realizëm. Ngjarjen e shënuar për krahinën e Bregdetit, për gjithë krijuesit e studiuesit e Sarandës, e kanë përshëndetur kritiku dhe studiuesi, Miho Gjini, kritiku dhe studiuesi Josif Papagjoni, poeti Timo Mërkuri, mësuesi i letërsisë, Ideal Serjani, poetesha Andriana Dhrami, nënprefektja e Sarandës, Elsa Gjini, poeti dhe shkrimtari Dashamir Malo, krijuesja Irena Gjoni, të afërm të profesor Kallullit etj. Ndërsa kritiku dhe studiuesi Josif Papagjoni, e vlerëson personalitetin e Kallullit në tri plane: si kapacitet intelektual dhe kritik i fuqishëm, si njeri të virtytshëm dhe pedagog të paarritshëm. "Sytë e Adriatikut u sakrifikuan për letërsinë dhe sado që e di që është me sy të dobët, vazhdon të punojë pareshtur", - u shpreh Papagjoni, duke çmuar se ai është i kudogjendshëm në mendimin kritik dhe estetik shqiptar - ka thënë ai. Papagjoni tha se "në syrin dhe penën e Adriatik Kallullit kanë zënë për herë të parë udhën e mediatizimit të Isamil Kadaresë, ai që ka shkruar me shumë dashuri për Lasgush Poradecin dhe dha hedhur dritë mbi Migjenin, ndërkohë që edhe sot promovon figura dhe talente që i sheh kur sa kanë nisur të shkëndijojnë dhe të japin dritën e parë."

I emocionuar, prof. Dr. Kallulli ka shprehur mirënjohjen për nderin e bërë, duke thënë se në jetën e vet ka marrë disa çmime e vlerësime kombëtare e ndërkombëtare, por kur të nderon vendlindja jote, rrënja jote, ndihesh më i vlerësuari në botë. "Thonë se ilaçet të bëjnë mirë në vendlindje, - u shpreh profesor Kallulli, por unë do të thosha se nderimet në vendlindje të zgjasin jetën dhe të bëjnë të lumtur më shumë se çdo gjë tjetër"

Përkujdesjen për vlerësimin e krijuesve të çdo fushe, kryekomunari i Lukovës, Vladimir Kumi, e quan pjesë të detyrës së vet e të stafit të tij dhe të këshillit komunar. Në konceptin dhe në praktikën e tij ai e quan të barazvlefshme dhe po aq të rëndësishme që investimeve për infrastrukturën, të cilat e bëjnë më tepër turistike komunën nga Nivica në Borsh, t‘u bashkëngjitet edhe investimi për infrastrukturën shpirtërore të njerëzve të Bregut, me dëshirën dhe vizionin për të krijuar kështu një kopsht më vete për njerëz të fushës së letrave dhe arteve, që i bëjnë nder Bregdetit, si Adriatik Kallulli.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›