E Diel, 1 Nëntor 2026

Kur "tradhtonim" komunizmin

90 minuta duke parë "Babeta shkon në luftë", në vitet ‘60, ishin më shumë se 90 minuta. Në Shqipërinë komuniste çdo film që ofronte një mënyrë tjetër të parit të gjërave, apo dhe një veshje ndryshe nga ajo e Shqipërisë socialiste, ishte një lloj frymëmarrjeje për të gjithë njerëzit. Por ç‘mund të përjetojë sot dikush që kur shikonte prodhimin e Christian Jaque "Babeta shkon në luftë‘ në ato vite, ishte aq shumë i tërhequr nga loja e Brigitte Bardot, apo Jacque Charrier. Për të gjithë nostalgjikët e një kinemaje, që ishte më shumë se një dritare e vogël për të parë lirinë, Arkivi Qendror i Filmit në Bashkëpunim me Ministrinë e Kulturës do të sjellin në datat 10-13 mars në qytetin e Pogradecit "Nostalgjinë e filmit të huaj". Ky aktivitet do të shfaqet në kinemanë e pallatit të kulturës "Lasgush Poradeci" dhe do të jetë falas për këdo që kërkon të rishikojë ndjesitë e së kaluarës. Në katër ditë në ekranin e kësaj kinemaje do të ngjiten prodhimet më të mira kinematografike të shekullit XX, që kanë lënë mbresa, nostalgji dhe që i kanë rezistuar kohës. Gjatë këtyre ditëve do të ketë prezantim për filmin francez, italian, amerikan dhe atë rus. Sipas një njoftimi të shpërndarë nga AQSHF "Qëllimi kryesor është evidentimi i vlerave më të mira kinematografike të filmave prodhime perëndimore, të cilat në kohën e regjimit komunist ishin një oaz i mirë shpirtëror, një dritare nga ku spektatori shqiptar shikonte botën e ëndërruar. Njëherësh janë përzgjedhur filma që kanë karakter edukues, informues, vlera artistike dhe historike". Për të gjallëruar sa më shumë jetën kulturore e artistike në këtë qytet, pritet që aktiviteti të ketë edhe pjesëmarrje e përfaqësues të huaj, të cilët do të flasin në përgjithësi për vlerat dhe rëndësinë e këtyre filmave, aktivitetet ndërkombëtare që priten të jenë në vendin tonë e kryesisht në këtë qytet. Ditët e nostalgjikëve të kinemasë do të nisin me "Babeta shkon në luftë", një prodhim i vitit 1959, për të vazhduar me "Metamorfoza e një qyteti" një dokumentar me imazhe të qytetit të Pogradecit në vite. Po më 10 mars do të shfaqet filmi "Një mungesë aq e gjatë" prodhim i vitit 1960, me regji të Robert Porte ku interpretojnë Alida Valli, Georges Wilson, Amede Paul Faivre. Më 11 mars publiku do të shohë "Ditë dashurie" me regji të Guiseppe de Santis, ku interpretojnë Marcello Mastroiani, Marina Vlady, Angelina Longobardi, prodhim i vitit 1954. Ndërsa pasdite do të jetë dokumentari "Nositi", për të vijuar me filmin "Më fal" me regji të Carlo Costas, ku interpretojnë Raf Vallone, Antonella Lualdi, Tamara Less, Aldo Bufi - Landi. Më 12 mars do të jetë dita e filmit amerikan ku do të shfaqet "Rroftë Zapada" me regji të Elia Kazan, "Perënditë me kokë poshtë" me regji të Jamie Uys. Ditët e filmit rus do të jenë më 13 mars. Përfaqësues të kësaj kinemaje do të jenë regjisorët Josif Krefits dhe G.Cuhraj. "Zonja me kone" e Krefits vjen gati gjysmëshekulli më pas që nga koha e realizimit më 1959. Po kështu dhe "Balada e ushtarit" prodhim i të njëjtit viti do të sjellë interpretimet e Vollodia Ivashev, A. Maksimova, Zhana Prohorenko.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›