“Politico”: Administrata Trump nuk i ndëshkon aleatët për njohjen e shtetit palestinez

NJU JORK, 24 shtator /ATSH/- Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, ka shprehur pakënaqësinë e tij lidhur me vendimin e disa aleatëve kryesorë të SHBA-së për të njohur shtetin palestinez në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së këtë javë në Nju Jork, duke e përshkruar atë si një “shpërblim” për aktet terroriste të Hamasit, sipas “Politico”.
Zyrtarë të lartë si në Britaninë e Madhe ashtu edhe në Kanada se administrata Trump kishte shprehur privatisht, kundërshtimin e saj ndaj vendimeve për pranimin e shtetësisë palestineze.
“Në Britani të Madhe, deklaratat publike të përmbajtura të presidentit Trump gjatë verës mbi perspektivën e njohjes diplomatike – ndihmuan në forcimin e planeve të kryeministrit britanik, Keir Starmer për të ecur përpara, sipas një zyrtari të lartë britanik.
Zyrtarët e Trump i janë përgjigjur vendimit të njohjes së koordinuar të Palestinës nga Britania e Madhe, Franca, Arabia Saudite, Kanadaja dhe Australia – duke e nënvlerësuar dhe konsideruar atë si një “performancë” dhe “projekt i kotësisë”, respektivisht sipas fjalëve të ambasadorit të SHBA-së në OKB, Mike Waltz, dhe sekretarit amerikan të Shtetit, Marco Rubio.
Ata kanë zgjedhur ta trajtojnë njohjen e Palestinës si një shfaqje aktiviste, në vend të një kërcënimi që duhet të pengohet duke shpenzuar kapital diplomatik dhe politik.
Qeveria izraelite e ka dënuar vendimin për njohjen e shtetit të Palestinës në terma të fuqishëm.
Megjithatë, në mungesë të kritikave të ashpra nga Uashingtoni – dhe nga vetë Trump – aleatët e SHBA-së e kanë interpretuar “përqeshjen” amerikane si një lloj “autorizimi për të vepruar”.
Një zyrtar i lartë i qeverisë kanadeze, i cili informoi gazetarët përpara se të njoftonte se Kanadaja do të njihte shtetin e Palestinës, tha se Trump nuk e kishte diskutuar çështjen kohët e fundit, me kryeministrin Mark Carney.
“Politikat tona, drejtimi ynë, kuptohen mirë nga kolegët dhe homologët tanë amerikanë. Ata e kuptojnë logjikën që fshihet pas këtij vendimi”, tha zyrtari kanadez.
Një zyrtar i lartë i BM-së e përshkroi ambivalencën e dukshme të Trump në lidhje me shtetësinë palestineze si një dinamikë inkurajuese për Starmer.
Ai kujtoi vizitën e Trump në Skoci në korrik, kur u pyet lidhur me vendimin e Starmer për të njohur shtetin palestinez.
“Përgjigja e Trump i dha qeverisë britanike një shtysë për të ecur përpara, pasi presidenti i SHBA-së nuk dukej i prirur të hakmerrej”, tha zyrtari.
“Deklarata e Trump shënoi “një moment të madh” për Starmer, pasi erdhi në një kohë kur kryeministri po përballej me një protestë brenda partisë së tij në lidhje me luftën në Gaza”, shtoi zyrtari.
Në fjalimin e tij dje para udhëheqësve botërorë në OKB , Trump kritikoi vendet që njohën shtetësinë palestineze – se i kishin ofruar Hamasit një “shpërblim” për aktet e tij terroriste, duke përfshirë sulmet e 7 tetorit 2023 kundër Izraelit.
Ai tha se nuk po i jepnin përparësi lirimit të pengjeve të mbetura izraelite, të mbajtura nga Hamasi.
Por ai nuk u ndal të kërcënonte me ndonjë pasojë për këtë veprim.
Aty ku Trump ka qenë indiferent, zyrtarët e lartë të administratës në përgjithësi kanë reaguar me shpërfillje.
Rubio tha në një intervistë dje për CBS, se përpjekjet për të njohur shtetësinë palestineze ishin “një projekt i kotësisë” për disa nga udhëheqësit botërorë që donin të ishin të rëndësishëm, por në të vërtetë kjo nuk bënte asnjë ndryshim.
Në një seancë dëgjimore të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, Waltz e nënvlerësoi vendimin për njohjen e Palestinës – duke e konsideruar atë si një “performancë” dhe kritikoi OKB-në për thirrjen e një takimi në lidhje me konfliktin izraelito-palestinez në festën hebraike “Rosh Hashanah”.
Uashingtoni dhe Izraeli u zotuan se do të reagonin ashpër ndaj këtij vendimi, i cili pritej të njoftohej gjatë konferencës së 80-të të OKB-së në Nju Jork.
Javën e kaluar, ligjvënësit republikanë u shkruan udhëheqësve të Kanadasë, Australisë dhe Britanisë së Madhe, duke i paralajmëruar se vendet që kishin njohur shtetin palestinez do të përballeshin me masa ndëshkuese.
Disa nga këto kërcënime erdhën edhe nga vetë Trump. Në korrik, pasi Carney njoftoi qëllimin e Kanadasë për të njohur shtetin palestinez, Trump tha se kjo çështje mund ta vështirësonte arritjen e një marrëveshjeje midis Kanadasë dhe SHBA-së.
Presidenti francez Emmanuel Macron tha në një intervistë për CBS se kishte pasur shumë diskutime me njerëz të afërt të presidentit Trump, përfshirë të dërguarin special Steve Witkoff dhe dhëndrin e presidentit Jared Kushner, në lidhje me njohjen e shtetit palestinez.
Sigurisht, Izraeli është zotuar të ndjekë masa më të ashpra kundër palestinezëve si përgjigje ndaj njohjes së Palestinës.
Qeveria izraelite kërcënoi se do të aneksojë më shumë territor në Bregun Perëndimor në hakmarrje ndaj këtij veprimi në Kombet e Bashkuara.
Shtetet e Bashkuara të Amerikës, gjithashtu revokuan vizat e zyrtarëve të lartë palestinezë, duke argumentuar se anëtarët e Autoritetit Palestinez dhe Organizatës për Çlirimin e Palestinës nuk kishin arritur të zbatonin ligjin amerikan – dhe duke pretenduar se ata mbanin lidhje me grupet terroriste. //a.i/