E Diel, 1 Nëntor 2026

Franc List ka "qenë" në Shqipëri

Një partiturë e panjohur e kompozitorit dhe pianistit të mirënjohur, Franz List, i dhurohet kryebashkiakut të Budapestit në Durrës. Ka qenë kryetari i Bashkisë së Durrësit, Vangjush Dako, i cili gjatë vizitës së një delegacioni hungarez të kryesuar nga kryebashkiaku i Budapestit, Gabor Demzsky, i dhuroi atij një partiturë të panjohur më parë të kompozitorit të madh, List. Kjo partiturë dhe një letër e Listit të papublikuara më parë ruheshin në Arkivin e Shtetit dhe ishin gjetur nga Departamenti i Arsim-Kulturës së Bashkisë së Durrësit. Kjo surprizë, si dhe ariet e mrekullueshme të interpretuara nga sopranot dhe tenorët e Teatrit Kombëtar të Hungarisë krijuan një atmosferë tepër të veçantë në ambientet e Torrës Veneciane në Durrës. Delegacioni hungarez vizitoi dhe Muzeun Arkeologjik e Amfiteatrin Antik të qytetit të Durrësit, ndërsa në mbrëmje në mjediset e Torrës Veneciane u organizua një koncert operistik me këngëtarët lirikë të Teatrit Kombëtar të Operës së Hungarisë. Gjatë këtij koncerti ishte rezervuar edhe surpriza për delegacionin hungarez. Partitura ishte kopja e një dokumenti origjinal të kompozitorit të mirënjohur austro-hungarez, Franz List, e cila ruhet në Arkivin Qendror Shtetëror në Tiranë. Ajo ka gjithsej dy dosje me tri fletë autoshkrimi të Listit, një partiturë origjinale, si dhe 18 fletë përkthime. Ky material historik është dorëzuar në arkiv nga familja shkodrane e Kolë Lukës. Sipas burimeve nga Bashkia e qytetit të Durrësit, partitura gjendet në arkivat qendrorë të shtetit që prej vitit 1962.

Fati i mbërritjes dhe i ruajtjes së dokumenteve të Listit në Shqipëri ka një histori që qëndron në lartësinë e meritës të krijuesit të tyre, por shpeshherë e rrezikuar prej saj.

Shkodrani Kolë Luka, i cili ishte një dashamirës i muzikës i shpëtoi dokumentet nga shitja me kilogram. Lukët qenë tregtarë dhe lëviznit në qytete të ndryshme jashtë vendit dhe se ishte krejt rastësi rënia në dorë të tyre e këtij dokumenti, origjinali i të cilit ruhet në arkivin shqiptar. Drejtori i Departamentit të Kulturës në Bashkinë e Durrësit, Ardian Gura, thotë se partitura ka mbërritur në vendin tonë ndërmjet viteve 1842-1845 dhe pas ruajtjes prej më shumë se një shekulli nga Luka, që nga viti 1962 ndodhet në Arkivin Shtetëror. Partitura e panjohur e List titullohet "Fantazia". Titulli i saj është marrë nga letrat e kompozitorit drejtuar madamë Camilla Pleyel, një kompozitore e njohur, ku në tekstin origjinal, shkruar në gjuhën frënge, thuhet "fantazinë time" dhe dihet se List ka shkruar një vals me të njëjtin titull "Fantazia". Partitura ka vetëm një fletë të dyfishtë, me shkrim të imët në pentagram, me bojë të njëjtë me atë të dërguar zonjës Pleyel. Sipas drejtorit të kulturës në Bashkinë e Durrësit, "Fantazia" është një enigmë që bazohet në një lojë fjalësh. Sipas vlerësimit të studiuesve muzikorë, kjo partiturë përfaqëson një ushtrim muzikor të Listit që mund të zgjasë në ekzekutim muzikor nga dy deri në tri minuta. Për nder të pjesëmarrësve, këtë fundjavë pjesa e kompozuar nga hungarezi i mirënjohur, List, është luajtur në piano nga 13-vjeçarja durrsake, Nelsi Frashëri.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›