E Diel, 1 Nëntor 2026

Vlera e objekteve të gjetura

Zbulimi i ndodhur në fshatin Sofraçan, në vendin e quajtur "Qafa e vorreve", sipas specialistit në Institutin e Arkeologjisë, Dr. Adem Bunguri, ka vlera të mëdha për fushën. Sidomos për faktin se numri i përkrenareve të gjetura deri më tani në të gjithë territorin shqiptar, është vetëm 18, çka tregon për një zbulim jo të zakontë arkeologjik. Ai thotë se zbulimi i këtyre përkrenareve ka një rëndësi të veçantë historiko-kulturore. "Ato plotësojnë njohuritë tona mbi armët mbrojtëse të përdorura nga ilirët, në fazën e vonë të periudhës së hekurit dhe fillimet e periudhës qytetare në Iliri dhe dëshmojnë për nivelin e lartë të kulturës ilire në përgjithësi, shprehet kështu arkeologu Bunguri. Sipas tij, të dy përkrenaret janë të njëjta, ose të një tipi. Sipas përshkrimit të tij, përkrenaret përbëhen prej një pete monolite bronzi, të veshur me një patinë jeshile nga koha e qëndrimit në tokë. Ato kanë hapësen e fytyrës trapezoidale, ndërsa mbrojtëset e faqeve ndahen nga mbrojtësja e mbizverkut në zonën e mbiveshëve me kënd të mprehtë. Kalota është e rrumbullakët dhe përshkohet për së gjati nga dy kreshta simetrike ose shirita plastikë, madje njëra prej tyre, ruan deri edhe vrimat për montimin e aplikave zbukuruese si pendë, pubëz, brirë etj. Buzët e hapjes së përkrenares, si dhe të mbrojtësve të faqeve janë zbukuruar nga një shirit dekorativ i puçëruar. Tipologjikisht, shprehet Bunguri, ato përfshihen në variantin e parë të fazës III të zhvillimit të përkrenares ilire, me kufij kronologjikë përdorimi në shek. V-II p.e.s, me intensitet më të lartë në shek. IV-III para Kr. Këto përkrenare i shtohen numrit të madh të përkrenareve ilire të zbuluara në arealin ballkanik. Ato janë të ngjashme me një përkrenare të tillë të zbuluar në Draj-Reç të Dibrës, si dhe me ato të Matit e të Mirditës. Jashtë vendit tonë përkrenare të këtij tipi janë zbuluar në Maqedoni(Trebenisht), Kosovë(Banja e Pejës, Mitrovicë, Korishë e Prizrenit, Rahovec), Serbi, Rumani e Transilvani1. Ekzemplarët e shumënumërt të përkrenares së vonë ilire në hapësirën ballkanike(ato përbëjnë shumëfishin e përkrenareve të këtij tipi të zbuluar në tokën greke), i kanë bindur studiuesit për karakterin ilir të prodhimit të saj(E. Kunze, A. Snodgrass). Ata mendojnë gjithashtu që në hapësirën ilire, duhet të ketë pasur edhe punishte metalike lokale për punimin e tyre. Si argument për këtë shërben prioriteti kronologjik i përkrenareve të zbuluara në hapësirën shqiptare ndaj atyre të zbuluara në Greqi, si edhe pasuritë e shumta metalifere të Shqipërisë, veçanërisht të asaj veriore.

Fshati Sofraçan, në afërsi të të cilit ndodhi zbulimi i dy përkrenareve, shtrihet në krahun e majtë të zallit të Bulqizës dhe të rrugës nacionale Bulqizë-Shupenzë, në afërsi të fshatrave Sopot dhe Krajkë. Lugina e zallit të Bulqizës shtrihet nga qafa e Buallit në perëndim deri në fshatin Çerenec në lindje, ku bashkohet me Drinin e Zi. Kjo luginë me drejtim lindje-perëndim përfaqëson korridorin më të rëndësishëm natyror, që ka shërbyer që në lashtësi për lidhjet ekonomiko-kulturore të pellgut të Dibrës me Adriatikun. Në funksion të mbrojtjes së kësaj rruge janë ndërtuar edhe kala të tilla si ajo e urës së qytetit(Peladhi), Krajkës, Sofraçanit etj.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›