E Diel, 1 Nëntor 2026

Votoni për babain tim!

Disa ditë më parë, rrjeti televiziv amerikan MSNBC pezulloi përkohësisht një korrespondent të saj, pasi në një artikull të shkruar me tone seksiste dhe të ashpra, akuzonte hapur Hillari Klintonin se po përdorte vajzën e saj, Çelsin, për të fituar sa më shumë vota. "beteja" që shkaktoi reagim të menjëhershëm të ish-zonjës së parë përfundoi me faljen e televizionit ndaj zonjës Klinton, por njëkohësisht hapi një debat për sa i përket rolit që po luajnë vajzat e kandidatëve për të mbështetur prindërit e tyre në fushatën elektorale. Në fakt, ish-vajzat e Shtëpisë së Bardhë tradicionalisht kanë bërë ç‘është e mundur për të ndihmuar familjen për një imazh sa më perfekt. Sot, shumë mendojnë se janë ato arma më e fortë për t‘i shkëputur votat brezit të ri.

Sa më shumë vota nga të rinjtë

Pas një rënie të ngadaltë për afro tri dekada, të rinjtë amerikanë që u drejtohen kutive të votimit kanë pësuar një rritje që nga fushata e vitit 2000, ndërsa pritet që të ndodhë sërish e njëjta gjë këtë vit. Në Amerikë janë afërsisht 44 milionë votues me moshë nga 18-29 vjeç dhe më shumë se 20 milionë prej tyre votuan në vitin 2004 ose rreth 4.3 milionë më shumë se në vitin 2000. Vajtja e 30-vjeçarëve nëpër qendrat e votimit në dy muajt e fundit në zgjedhjet për nominimin e partisë për garën drejt Shtëpisë së Bardhë në disa shtete është katërfishuar, po të krahasohet me zgjedhjet e fundit në vitin 2004. 20 e ca vjeçarja Çelsi Klinton, vajza e kandidatit republikan, Xhon MekKein, Megan, dhe vajza e Majk Hakëbisë, Sarah, të gjitha po mundohen të bëjnë ç‘është e mundur për të tërhequr votat e të rinjve në favor të prindërve të tyre. Grupe të tilla që inkurajojnë pjesëmarrjen e të rinjve në votim, si "Rock the Vote" besojnë se pjesëmarrja e fëmijëve të kandidatëve në këto zgjedhje ka qenë e rëndësishme për të luftuar apatinë elektorale. Kështu tregon zëdhënësi i kësaj organizate "Rock the Vote": "Është shumë e rëndësishme që kemi njerëz të rinj që mundohen të bindin të rinjtë e tjerë në kolegje e universitete që të votojnë". Po ashtu një shoqatë amerikane për konsultat mbi politikën beson se fëmijët e këtyre kandidatëve mund të ndihmojnë në rritjen e popullaritetit me votuesit.

Vajza festash

"Ky është viti i votuesve të rinj dhe këto vajza të reja janë modeli më i mirë për t‘i orientuar ata", tregon një analist politik.

Kjo impresionon gjithashtu votuesit për të parë nëse një kandidat për President i ka bërë mirë gjërat më të rëndësishme të jetës - si prind që i rrit fëmijët e tij në mënyrën e duhur". Por këto vajza nuk janë vetëm modeli strikt që duhet kopjuar, nga ana tjetër ato dëshirojnë të tregojnë se janë të reja, dhe si gjithë moshatarët e tyre dëshirojnë të bëjnë gjëra që shpesh i vënë në siklet prindërit e tyre. Për shembull, vajzat e Presidentit amerikan, Xhorxh Bush, binjaket Barbara dhe Xhena, shpërthyen në të qeshura në konventën republikane gjatë fushatës për rizgjedhjen e tij në vitin 2004, edhe pse batutat e tyre nuk tërhoqën vëmendjen e shtypit. Më keq akoma ishte rasti kur binjaket patën probleme me ligjin për pirjen e alkoolit nga të rinjtë nën moshë, gjë që provokoi një debat kombëtar në Amerikë për sa u përket të rinjve dhe alkoolit. Por, Barbara dhe Xhena, nuk janë të vetmet që "zbukurojnë" klube "1600 Pennsylvania Avenue". Për shembull vajza e Teodor Ruzveltit, Alice, pëlqente të tregonte barsoleta të "pista", pavarësisht se me kë ishte, ndërsa vajza rebele e Ronald Reganit, Patti Davis, pozoi nudo për revistën "Playboy". Ndërkohë që vajza e ish-kandidatit për të marrë nominimin demokrat, Xhon Kerri, Alexandra, bëri bujë kur me një fustan të tejdukshëm shkeli tapetin e kuq të Kanës në vitin 2004. Lista vazhdon më tej. Edhe Sarah Huckabee po luan një rol të rëndësishëm në fushatën e të atit, Mike. Sarah, një ish- drejtoreshë e guvernatorit të Arkansasit është 25 vjeç, ka dy vëllezër më të vegjël dhe është dalluar gjithmonë për veprimet e mençura që bën. Kur Çelsi u tregon votuesve cilësitë e të ëmës, Meghan MekKein jep leksione make-up-i dhe muzike. Kështu, vajza rebele e kandidatit republikan, është e njohur edhe për blogun e hapur në internet ku tregon të gjithë prapaskenat e fushatës elektorale. E nëse babai i saj do të fitojë nominimin republikan do të dëgjojmë shumë më tepër të. Megan është 23 vjeç, ka studiuar në Universitetin e Kolumbisë për histori arti, mban një blog të veçantë për fushatën elektorale. Më saktë, mban një ditar të përditshëm të mbushur me lajme, gosip, fotografi të lukut të saj dhe sugjerime për make-up-in. Aty nuk harron të tregojë asgjë, madje edhe takimi me Çelsi Klinton. Dhe në fakt, ia ka dalë mbanë. Blogu lexohet çdo ditë nga miliona përdorues. Miqësia e të bijës me Paris Hiltonin duket se nuk e shqetëson aspak babain Xhon që duket se është favoriti mes republikanëve për të fituar nominimin. Edhe për të ëmën, Sindi MekKein, stili "disident" i së bijës, përshtatet më së miri me atë të brezave të rinj, dhe për më tepër duke kaluar përtej kufijve të kandidatëve të ngurtë i bën MekKeinët më njerëzorë dhe më të afrueshëm. Çanta firmato, fustane dhe çizme mijëra dollarësh, takat e larta dhe flokët biondë e bëjnë të jetë në qendër të vëmendjes dhe shumë e preferuar nga të rinjtë. Mes këshillave si duhet të lyhesh, fotot e shkrepura në kohën e lirë mes miqve, dhe komenteve mes yjeve të muzikës, Megan e gjen kohën për të treguar edhe prapaskenat kurioze të fushatës së të atit. Gjithmonë me shishen e "Diet Coke" në dorë. Një tjetër pikë e fortë janë padyshim edhe fotot që e tregojnë në çdo cep të Amerikës pas të atit dhe në çdo sekondë të jetës së përditshme. Ajo që të rinjve u pëlqejnë më shumë janë shpesh frazat që Megan shkruan thuajse çdo ditë në blog: për shembull ajo e fundit ishte: "Babai më ka dhënë një këshillë, të mos shkoj kurrë nëpër mitingje me pizhame".

Tashmë më shumë se kurrë detyra e tyre duket se është të qëndrojnë pas krahëve të mamit ose babit, dhe të bëjnë gjithçka për t‘i përkrahur.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›