E Diel, 1 Nëntor 2026

President Topi priti Ambasadorin e ri të Republikës Popullore të Kinës në vendin tonë, Uang Junling.

3 dhjetor 2007

Presidenti i Republikës, Bamir Topi priti sot Ambasadorin e jashtëzakonshëm dhe fuqiplotë të Republikës Popullore të Kinës në Tiranë, Uang Junling, i cili i paraqiti Letrat-kredenciale.

Kryetari i shtetit dhe ambasadori i Republikës Popullore të Kinës kanë vlerësuar se marrëdhëniet midis dy vendeve janë në nivelin e tyre më të lartë ndërsa miqësia mes dy popujve është një traditë e hershme.

Presidenti Topi ka vlerësuar arritjet e Kinës në të gjitha fushat si dhe rritjen e bashkëpunimit ekonomik me Shqipërinë dhe ka shprehur vullnetin që këto marrëdhënie të thellohen më tej në interes të dy vendeve.

Ambasadori Uang Junling, duke nënvizuar intensifikimin vitet e fundit të bashkëpunimit ekonomiko-tregtar të vendit të tij me Shqipërinë, e ka siguruar Presidentin Topi se do bëjë të gjitha përpjekjet për ta intensifikuar këtë bashkëpunim në të gjitha fushat.

Duke folur për statusin e ardhshëm të Kosovës, Presidenti Topi ka përsëritur qëndrimin e njohur të Shqipërisë në mbështetje të Paketës Ahtisari dhe ka vlerësuar qëndrimin jo bllokues të Kinës si anëtare e përhershme e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara për çështjen e Kosovës.

Ambasadori i Republikës Popullore të Kinës, Uang Junling ka siguruar se Kina do luajë rolin e duhur në zgjidhjen e çështjes së Kosovës sipas vendimeve të OKB-së.

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›