E Diel, 1 Nëntor 2026

Fjala e Presidentit Topi në pritjen për 95 vjetorin e shpalljes së Pavarësisë.

28 nëntor 2007

Pallati i Brigadave,

E nderuara Zonja Kryetare e Kuvendit,
I nderuari Zoti Kryeministër,
Zonja e Zotërinj Ministra e Deputetë,
Shkëlqesi Ambasadorë e përfaqësues të Trupit Diplomatik,
Të nderuar miq nga Kosova, Maqedonia, Mali i Zi, nga diaspora shqiptare në SHBA, Greqi, Itali, Kroaci e Ukrainë,
Përfaqësues të medias, miq e të ftuar!

95 vjet që nga 28 nëntori 1912 nuk janë shumë, por as edhe pak për një shtet të vogël si Shqipëria! Teksa bëjmë këtë bilanc pothuaj shekullor e lidhim pikërisht me simbolin që na mundësoi realitetin e të shpallurit të pavarur. Plaku i mençur Ismail Qemali bashkë me firmëtarët e Dokumentit të Pavarësisë mbeten padyshim figurat identifikuese që ngritën Flamurin në Vlorë bashkë me shumë patriotë të tjerë të cilët braktisën karrierat e postet e larta administrative që mbanin, për t’u kthyer në këtë vend që rrezikonte copëtimin.

Në funksion të qëllimit për të qenë të lirë e të pavarur shqiptarët përdorën të gjitha format e sensibilizimit e të organizimit që nga klubet e shoqëritë patriotike deri tek kryengritjet e çetat për të arritur në rezultatin e vitit 1912. Duhet thënë se pavarësia e Shqipërisë u përgatit edhe nga kryengritja më e madhe në ballkan, ajo e Kosovës në 1912.
Pas këtij viti nuk kanë reshtur përpjekjet e shqiptarëve përkundër interesave të vendeve të tjera nëpërmjet konferencave e traktateve të ndryshme ku vlen të theksohet roli vendimtar i Presidentit amerikan Uilson në Konferencën e Paqes në Paris që ndaloi copëtimin e Shqipërisë.

Përpjekjet për të marrë profilin e një vendi europian nisin me Ahmet Zogun por vazhdojnë sërish me përpjekje disa vjeçare për çlirimin e vendit.

Epoka 50 vjeçare e diktaturës e stopoi por nuk e shoi aspak dëshirën e shqiptarëve për të qenë jo vetëm gjeografikisht pjesë e Europës. Dëshmia më e mirë janë arritjet e Shqipërisë 17 vjet pas përmbysjes së sistemit komunist.

Gati një shekull pas krijimit si shtet jemi krenarë për përpjekjet e së shkuarës por edhe për aspiratat për të ardhmen. Në mënyrë unanime shqiptarët kanë zgjedhur të bëhen pjesë e familjes së madhe euroatlantike.Eshtë një aspiratë që klasa politike po e çon përpara: kemi nënshkruar MSA-në me Bashkimin Europian dhe shpresojmë të marrim një ftesë nga samiti i NATO-s prillin e ardhshëm në Bukuresht.

Shqipëria sot përbën shembullin e maturisë e të moderimit për politikën e saj rajonale e sidomos sa i takon çështjes shumë të rëndësishme të Kosovës. Shqipëria mbetet e vendosur të mbështesë atë zgjidhje e cila do të sigurojë paqe dhe mirëqënie, investime dhe shkëmbime kapitalesh për të gjithë rajonin.

Nje Kosovë e pavarur, e mbështetur nga partnerët tanë strategjikë si SHBA e Bashkimi Europian do të mbyllte përfundimisht kapitullin e gjatë, të mundimshëm dhe të dhimshëm të popujve ballkanikë. Zgjedhjet e 17 nëntorit dëshmuan se Kosova është plotësisht e aftë të marrë të gjitha atributet e shtetit më të ri në Europë dhe ne e mbështesim këtë të drejtë legjitime e demokratike të popullit të Kosovës.

Gëzuar 95 vjetorin e shtetit tonë!
Zoti e bekoftë Shqipërinë dhe shqiptarët kudo që janë!

Ju faleminderit!

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›