E Diel, 1 Nëntor 2026

Presidenti Topi pret Kryeministrin e Italisë, Romano Prodi.

3 dhjetor 2007

Presidenti i Republikës, Bamir Topi priti sot pasdite Kryeministrin e Italisë Romano Prodi dhe delegacionin që e shoqëron në kuadër të vizitës së tij zyrtare në Tiranë.

Presidenti i Republikës e ka konsideruar këtë vizitë si një kontribut të mëtejshëm në forcimin e marrëdhënieve mjaft të mira që ekzistojnë midis Shqipërisë e Italisë, e evidentuar kjo edhe me nënshkrimin sot të tre marrëveshjeve të rëndësishme me qeverinë shqiptare, si dhe vlerësoi z. Prodi për kontributin e tij ndër vite për Shqipërinë dhe të ardhmen e saj. “Kjo vizitë”, - ka vërejtur Kryetari i Shtetit, - “vjen në një moment shumë domethënës për Shqipërinë, e cila i ka të qarta dy objektivat madhore të saj: integrimin në NATO dhe në BE dhe ku e gjithë klasa politike shqiptare, pavarësisht debatit, apo pakënaqësive, është e orientuar së bashku pa asnjë mëdyshje drejt të ardhmes euro-atlantike të vendit”.

Pasi ka bërë një panoramë të punës katër mujore në krye të shtetit shqiptar dhe kontakteve të tij me të gjitha forcat politike, Presidenti Topi e ka njohur Kryeministrin Prodi me reformat, ku është përqendruar vendi: atë zgjedhore dhe reformën në drejtësi, pa lënë mënjanë edhe reformat ekonomike.

Duke u ndalur në situatën në rajonin e Ballkanit, Presidenti Topi ka nënvizuar rolin moderues e të kujdesshëm të Shqipërisë në rajon e veçanërisht për çështjen e Kosovës. Kryetari i Shtetit, gjatë bisedës, vuri në dukje faktin se tashmë Kosova nuk është më një rast i izoluar, por një çështje e ndërkombëtarizuar, si dhe ka përsëritur qëndrimin e Shqipërisë në mbështetje të Planit të z. Ahtisari si zgjidhja, që do siguronte stabilitet në rajon dhe që do t’i hapte të gjitha vendeve të tij, përfshi edhe Serbisë, rrugën drejt familjes së madhe euroatlantike. “Zgjedhjet e lira e demokratike të 17 nëntorit në Kosovë, ftesa që po i bën fituesi i këtyre zgjedhjeve Serbisë për të marrë pjesë në qeverisje, thirrjet për maturi e për një shtet multietnik, që respekton të drejtat e minoriteteve, dëshmojnë se Kosova është në rrugën e duhur”, - është shprehur Presidenti Topi dhe theksoi se “BE-ja duhet të demonstrojë në provën e saj të re e të madhe të kohëve moderne se çështja e Kosovës nuk mund të jetë njëlloj si të tjerat”.

Kryeministri i Italisë, Romano Prodi, pasi e ka falenderuar Presidentin Topi për pritjen e ngrohtë është shprehur se ka ndjekur me vëmendje aktivitetin katër mujor të kryetarit të Shtetit. Z. Prodi është shprehur se i ka bërë përshtypje mënyra se si e paraqiti Shqipërinë Presidenti Topi gjatë tre vizitave zyrtare në Bruksel, si një vend me objektiva të bashkuara, duke sjellë mazhorancën e opozitën në bashkërendim qëndrimesh e veprimesh për të ardhmen euroatlantike të vendit. “Ishte ajo çfarë unë shpresoja”, - është shprehur Kryeministri italian, - "dhe nëse vazhdohet kështu, të dy objektivat e Shqipërisë për integrim në NATO e BE do të arrihen.”

Kryeministri Prodi e ka siguruar Presidentin Topi se Italia e mbështet integrimin e Shqipërisë në NATO në Samitin e Bukureshtit bashkë me dy vendet e tjera Kroacinë e Maqedoninë.

Nga ana tjetër, Kryeministri Prodi ka bërë të ditur së Senati italian do të ratifikojë pas dy ditësh MSA-në mes Shqipërisë dhe BE-së dhe se kjo do t’i shërbejë ecjes së mëtejshme përpara të Shqipërisë drejt familjes së madhe europiane.
Lidhur me çështjen e Kosovës, Kryeministri italian është shprehur se nuk ka dyshim që pikëmbërritja e saj është pavarësia ndërsa duhet maturi e besim dhe veprime të koordinuara me faktorin ndërkombëtar pas datës 10 dhjetor.

Kryeministri italian ka vërejtur se marrëdhëniet mes dy vendeve po ecin mjaft mirë edhe në funksion të objektivit të përbashkët të intensifikimit të mëtejshëm të tyre.

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›