E Diel, 1 Nëntor 2026

Presidenti Topi dhe Zonja e Parë, Teuta Topi marrin pjesë në pritjen e dhënë nga Presidenti amerikan Bush.

15 maj 2008

Sot pasdite Kreu i shtetit shqiptar, Bamir Topi i shoqëruar nga Zonja e Parë Teuta Topi kanë qenë të ftuarit e Presidentit amerikan Xhorxh W. Bush në aktivitetin e veçantë të organizuar për nder të 60-vjetorit të krijimit të Shtetit të Izraelit ku Presidenti Topi është takuar dhe ka zhvilluar një bisedë të ngrohtë e miqësore me Presidentin Bush.

Në paraditen e sotme Presidenti Topi, Zonja e Parë Teuta Topi dhe delegacioni zyrtar kanë vizituar Qytetin e Vjetër të Jeruzalemit dhe disa nga vendet e shenjta si edhe Murin Perëndimor.

Gjatë ditës së sotme, i ftuar nga Presidenti izraelit Shimon Peres, Presidenti Topi mori pjesë gjithashtu në Seancën plenare përmbyllëse të Konferencës ndërkombëtare Presidenciale me udhëheqës dhe personalitete të ndryshme botërore, Përballja me të Nesërmen, e cila u zhvillua në Jeruzalem gjatë këtyre ditëve. Në senacën e fundit u diskutua për të ardhmen e Shtetit të Izraelit nga ish-kryministri, Netanjahu, Ministri i Mbrojtjes, Barak, Ministrja e Jashtme, Livnin, etj.

* * *

Sonte në mbrëmje Presidenti Topi zhvilloi edhe një takim të përzemërt e të ngrohtë me bashkësinë izraelito-shqiptare, e cila është vendosur dhe jeton prej vitesh në Izrael. Pas përshëndetjes së rastit të Kreut të shtetit shqiptar, ku u vlerësuan lart lidhjet e ngushta, tradicionale dhe historike me dy kombeve, në këtë takim u shfaq edhe dokumentari “Toka e Besës”, që përshkruan historikun e shkurtër të strehimit dhe shpëtimit të hebrenjve nga populli shqiptar gjatë Luftës së Dytë Botërore.

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›