E Diel, 1 Nëntor 2026

Presidenti Topi takohet me Presidentin izraelit, Shimon Peres.

16 maj 2008

Presidenti i Republikës, Bamir Topi, në ditën e fundit të vizitës zyrtare në Izrael, u prit në një takim të veçantë nga Presidenti Shimon Peres, i cili e falenderoi Kreun e Shtetit shqiptar për pjesëmarrjen në festimet e 60-vjetorit të krijimit të Izraelit dhe kontributin e vyer në Konferencën Presidenciale 2008 "Përballja me të nesërmen".

Presidenti Peres vuri në dukje se Shqipëria është një vend mik dhe lidhjet midis dy vendeve janë të vjetra e të konsoliduara duke bërë që edhe marrëdhëniet bilaterale të jenë shumë të mira. Z. Peres vlerësoi së tepërmi kontributin e Shqipërisë gjatë Luftës së Dytë Botërore dhe Holokaustit – periudhës më të errët në historinë e kombit hebre – në mbrojtjen e jetës së hebrenjve dhe qëndrimin e saj të vendosur kundër antisemitizmit. Kreu i Shtetit të Izraelit theksoi se kujtesa historike e vendit dhe popullit të tij do ta mbajë të ngulitur përgjithmonë ndihmën dhe përkrahjen e dhënë nga populli shqiptar gjatë Holokaustit.

Presidenti Peres pasi uroi për ftesën e marrë nga vendi ynë për të hyrë në NATO, e informoi Presidentin Topi mbi situatën në vend dhe zhvillimet më të fundit në procesin e paqes, duke theksuar se Izraeli e vlerëson gjithashtu edhe mbështetjen që Shqipëria i ka dhënë në kuadër të organizatave ndërkombëtare si Kombet e Bashkuara si edhe rolin e saj moderues dhe aktiv në ruajtjen e paqes dhe qëndrueshmërisë në Ballkan e më gjerë.

Presidenti Topi pasi shprehu mirënjohjen për ftesën dhe mikpritjen dhe ripërsëriti urimet me rastin e 60-vjetorit të krijimit të Shtetit të Izraelit, vlerësoi marrëdhëniet shumë të mira bilaterale mes dy vendeve dhe shprehu nevojën e thellimit të bashkëpunimit ekonomik duke vënë në dukje klimën e favorshme që ekziston në Shqipëri për tërheqjen e investitorëve të huaj në fusha të rëndësishme si bujqësia, energjitika, akuakultura, turizmi, etj.

Kreu i shtetit shqiptar përshkroi reformat e suksesshme të ndërmarra në vend me konsensus të gjerë politik si ajo në gjyqësor dhe reforma zgjedhore, duke vënë në pah arritjet e Shqipërisë në drejtim të plotësimit të standardeve integruese për në familjen e madhe evropiane. Presidenti Topi vlerësoi nënshkrimin e Marrëveshjes për heqjen e vizave mes dy vendeve tona duke theksuar se kjo do të shërbejë për lëvizjen e lirë të njerëzve, shkëmbimin e mallrave, rritjen e bashkëpunimit në të gjitha fushat, sidomos në atë ekonomik, tregtar dhe turistik.

Presidenti Topi vuri në dukje se pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës dhe krijimit të një shteti të ri demokratik e shumëetnik që respekton të drejtat e njeriut dhe të të gjitha pakicave, rajoni i Ballkanit ka fituar tashmë një paqe dhe qëndrueshmëri afatgjatë duke u projektuar i tëri drejt integrimit në Bashkimin Europian dhe strukturat euro-atlantike.

Në kuadër të zgjerimit të mëtejshëm të marrëdhënieve bilaterale dhe shkëmbimit të vizitave në nivelet më të larta, Presidenti Topi e ftoi Presidentin izraelit Shimon Peres për një vizitë zyrtare në vendin tonë – një ftesë, e cila u prit me kënaqësi dhe që do të realizohet në një moment të përshtatshëm.

Presidenti Peres nga ana e tij e ftoi Presidentin Topi të marrë pjesë sërish në Konferencën e vitit të ardhshëm në Jeruzalem ku do të marrin pjesë udhëheqësit më shquar nga mbarë bota.

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›