E Diel, 1 Nëntor 2026

Presidenti Topi i telefonon Kryeministrit Thaçi.

7 qershor 2008

Presidenti i Republikës, Bamir Topi zhvilloi një bisedë telefonike me Kryeministrin e Kosovës, Hashim Thaçi, banesa e të cilit u bë objekt i një sulmi kriminal, që vuri në rrezik jetën e familjarëve të tij. Presidenti Topi u interesua për gjendjen shëndetësore të familjes Thaçi dhe rreth ngjarjes së rëndë të ditës së sotme.

Në emër të Shtetit dhe qytetarëve shqiptarë, Presidenti i Republikes dënoi ashpër këtë veprim kriminal duke e konsideruar si një sulm te qëllimshëm ndaj Institucioneve të ligjshme të Kosovës në një çast shumë të rëndësishëm te historisë së saj.

Gjatë bisedës telefonike Presidenti i Shqipërisë i shprehu mbështetjen e plotë Kryeministrit Thaçi dhe të gjitha institucioneve demokratike të Kosovës, duke i inkurajuar ato që të vazhdojnë me vendosmëri zbatimin e detyrimeve kushtetuese për të ndërtuar një shtet të së drejtës dhe një Kosovë demokratike dhe evropiane.

Presidenti i Republikës i shprehu Kryeministrit Thaçi besimin se forcat e sigurisë dhe të rendit në Kosovë do të zbardhin sa më parë shkaqet e kësaj ngjarjeje dhe do të nxjerrin përpara drejtësisë autorët e vërtetë të këtij sulmi kriminal.

Z. Thaçi i shprehu Presidentit Topi falenderimet dhe mirënjohjen për vëmendjen e mbështetjen në një moment të tillë duke e siguruar se do vazhdojë detyrën e tij me të njëjtën vendosmëri për të ardhmen evropiane të Kosovës.

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›