E Diel, 1 Nëntor 2026

Presidenti Topi, takime me homologë dhe autoritete të larta gjatë Konferencës së FAO-s.

Romë
4 qershor 2008

Në ditën e parë të Konferencës së nivelit të lartë të organizuar nga Organizata e OKB-së për Ushqimin dhe Bujqësinë (FAO), që po mbahet në Romë, Presidenti i Republikës Bamir Topi është takuar e përshëndetur me homologë dhe personalitete të tjera të larta pjesëmarrëse në Konferencë: organizatorin e saj, Sekretarin e Përgjithshëm të OKB-së, Ban Ki Mun, Drejtorin e Përgjithshëm të FAO-s, Zhak Diuf, me udhëheqësit e vendit mikpritës, Presidentin Napoletano e Kryeministrin Berluskoni, me Presidentin e Slovenisë Tyrk, Presidenten e Argjentinës Kirshner, etj.

Gjatë darkës së punës të organizuar nga Kreu i OKB-së, Ban Ki Mun dhe Kryeministri italian Berluskoni në Vila Madama në përfundim të ditës së parë të Konferencës, Presidenti Topi ka bashkëbiseduar me Sekretarin e Përgjithshëm të OKB-së Ban Ki Mun. Temë e bisedës kanë qenë sfidat e Shqipërisë dhe përpjekjet e saj për t’u integruar në strukturat euroatlantike dhe për të qenë pjesëmarrëse aktive në përballjen e sfidave ndërkombëtare.

Ndërsa gjatë bisedës me Kryeministrin Italian, Silvio Berluskoni janë vlerësuar marrëdhëniet e shkëlqyera që ekzistojnë midis Shqipërisë e Italisë, bashkëpunimi shumëplanësh dhe arritjet e deritanishme të vendit tonë në sfidat e saj integruese. Kryeministri Berluskoni e ka garantuar Presidentin Topi për gatishmërinë e tij personale dhe të vendit të tij për të mbështetur plotësisht Shqipërinë në rrugën e saj drejt familjes së madhe euroatlantike.

Konferenca, e cila mblodhi në Romë 183 kryetarë shtetesh e qeverish si dhe delegacione ministrore të nivelit të lartë dhe nga organizata të ndryshme ndërkombëtare, pati si çështje diskutimi sigurinë ushqimore në botë përballë sfidave të ngritjes së çmimeve të ushqimeve, të ndryshimeve klimatike dhe të prodhimeve dhe u konsiderua nga pjesëmarrësit si një mundësi historike për të intensifikuar luftën kundër urisë e varfërisë dhe për të rritur prodhimin bujqësor në vendet në zhvillim.

Sot në mesditë, Presidenti i Republikës, Bamir Topi u kthye në atdhe.

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›