E Diel, 1 Nëntor 2026

Presidenti Topi pret Ministrin e Jashtëm të Qipros, Markos Kiprianu.

6 qershor 2008

Presidenti i Republikës, Bamir Topi priti sot në Presidencë Ministrin e Jashtëm të Qipros, Markos Kiprianu dhe delegacionin që e shoqëron gjatë vizitës zyrtare dyditore në Tiranë.

Gjatë bashkëbisedimit,Presidenti Topi vlerësoi me nota pozitive marrëdhëniet mes dy vendeve dhe popujve miq. Në kuadër të forcimit të mëtejshëm të marrëdhënieve të miqësisë dhe bashkëpunimit, Presidenti Topi vuri në dukje rëndësinë e shkëmbimit të vizitave të tilla të nivelit të lartë, duke shprehur dëshirën për një takim të ardhshëm me Presidentin Kristofias në vendin tonë ose në Qipro.

Kreu i shtetit shprehu mirënjohjen për ratifikimin e ditëve të fundit, më 30 maj 2008, nga ana e parlamentit qipriot të Marrëveshjes së Asociim-Stabilizimit dhe mbështetjen e Qipros për integrimin e Shqipërisë duke nënvizuar bashkëpunimin e frutshëm mes dy vendeve tona edhe në kuadrin e organizmave ndërkombëtare si Organizata e Kombeve të Bashkuara, etj.

Presidenti Topi duke vlerësuar ndihmesën qipriote në fushën e shëndetsisë për kurimin e të sëmurëve talasemikë, për shkëmbimin e përvojës dhe përgatitjen e personelit mjekësor dhe në atë të arsimit me dhënien e bursave për studentët shqiptarë, theksoi vullnetin për intensifikimin e bashkëpunimit ekonomik në fusha me interes reciprok si edhe rritjen e shkëmbimeve tregtare dhe të pranisë së investitorëve qipriotë në vendin tonë. Në këtë pikë Presidenti vlerësoi nënshkrimin sot të Marrëveshjes së Bashkëpunimit në Transportin Rrugor, që do të pasohet nga marrëveshje të tjera, të cilat së bashku me lehtësimin e regjimit të vizave do të sigurojnë lëvizjen e lirë të njerëzve, mallrave dhe rritjen e shkëmbimeve mes dy vendeve tona.

Kreu i shtetit shqiptar vuri në dukje se rajoni i Ballkanit, pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës, e cila është një rast “sui generis”, ka fituar një paqe dhe qëndrueshmëri afatgjatë duke u projektuar i tëri drejt rritjes dhe forcimit të bashkëpunimit ekonomik dhe integrimit në familjen e madhe europiane.

Nga ana e tij Ministri i Jashtëm i Qipros, pasi shprehu mirënjohjen për mikpritjen duke vlerësuar lart marrëdhëniet politike, theksoi nevojën e rritjes së bashkëpunimit ekonomik dhe shkëmbimeve tregtare duke parë edhe mundësinë për investime qipriote pas klimës së favorshme dhe kuadrit ligjor të nevojshëm të krijuar në vendin tonë.

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›