E Diel, 1 Nëntor 2026

Presidenti Topi ngushëllon familjen e minatorit Njazi Alliu në Fushë – Bulqizë.

12 shkurt 2008

Presidenti i Republikës, Bamir Topi ka zhvilluar sot një vizitë pune njëditore në qytetin e Bulqizës, i shoqëruar nga deputeti i zonës Sali Shehu, Kryetari i Bashkisë së Bulqizës, Roland Keta dhe Prefekti Xhaferr Seiti duke u ndalur në fillim në Fushë-Bulqizë, ku ka bërë një vizitë ngushëllimi në familjen e minatorit Njazi Alliu, që ra viktimë e një aksidenti gjatë punës në minierën e Bulqizës, më 9 shkurt.

Presidenti Topi, në bisedë me familjarët është shprehur se ky është një ngushëllim mëse njerëzor për humbjen e dytë në familjen e Njaziut, pas humbjes së një viti më parë të djalit tjetër, Besnikut. Kreu i shtetit u shpreh se familjet e viktimave të minierës duhet të trajtohen me një vëmendje të veçantë pikërisht për shkakun se miniera është e vetmja mundësi jetese këtu. Me kontributin e deputetit të zonës, z. Shehu, ka vërejtur Kreu i shtetit, duhet të merren masat në mënyrë që fëmijët e minatorëve të mos vuajnë problemet ekonomike, duke u lehtësuar në këtë mënyrë dhimbjen për humbjen e pazëvendësueshme të baballarëve.

Kryefamiljari Ahmet Allia dhe bashkëshortet e dy vëllezërve, viktima të punës në minierë, kanë falenderuar Presidentin Topi për vizitën që konsiderohet nga të afërmit një vëmendje nga ana e shtetit dhe lehtësim për dhimbjen e tyre.

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›