E Diel, 1 Nëntor 2026

Presidenti Topi pret Ambasadorin e Hungarisë në NATO, Zoltan Martinusz.

14 mars 2008

Presidenti i Republikës, Bamir Topi priti sot paradite në një takim Ambasadorin e Republikës së Hungarisë në NATO, Zoltan Martinusz.

Gjatë takimit Presidenti Topi vlerësoi mbështetjen që Hungaria po i jep integrimit të vendit tonë në NATO dhe përshkroi ecurinë e Shqipërisë drejt përmbushjes së aspiratës së saj integruese në strukturat euroatlantike, duke vënë në pah jo vetëm kryerjen e reformave të rëndësishme si reforma në drejtësi e ajo zgjedhore, konsensusin e gjerë të forcave politike, por edhe mbështetjen e mbarë shoqërisë shqiptare për arritjen e këtij objektivi me rëndësi strategjike kombëtare.

Kreu i shtetit nënvizoi faktin se, gjatë gjithë procesit të bashkëpunimit me Aleancën e Atlantikut Verior, Shqipëria ka vepruar si anëtare de facto edhe në kuadrin e Kartës Adriatik 3 duke marrë pjesë intensivisht edhe në misionet paqeruajtëse anembanë botës si në Irak, Afganistan dhe Bosnjë dhe tani vendi ynë pret i sigurt marrjen e ftesës për antarësim nga Samiti i ardhshëm i NATO-s në Bukuresht.

Presidenti i Republikës theksoi rolin moderues dhe të rëndësishëm të Shqipërisë dhe faktorit shqiptar në rajon në shërbim të paqes dhe qëndrueshmërisë afatgjatë duke shtuar se pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës, shtetit të ri, demokratik, shumëetnik dhe respektues ndaj të gjitha të drejtave të pakicave, të gjitha vendet e rajonit tonë ballkanik e kanë projektuar të ardhmen e tyre të sigurt në gjirin e familjes së madhe euroatlantike.

Ambasadori hungarez në NATO, Zoltan Martinusz pasi falenderoi për pritjen, u shpreh se vendet anëtare të NATO-s janë tashmë të bindura që Shqipëria me arritjet pozitive dhe pjesëmarrjen e saj aktive në sigurimin e paqes gjatë operacioneve të NATO-s, sidomos në Afganistan, e meriton plotësisht të jetë anëtare edhe de jure e Aleancës politike dhe ushtarake të Atlantikut Verior. Ambasadori Martinusz e siguroi Presidentin Topi se mbështetja e Hungarisë do të jetë e vazhdueshme në drejtim të përmbushjes së aspiratave integruese të Shqipërisë, duke ndarë edhe përvojën e saj integruese, sepse rruga drejt Bashkimit Europian kalon nga NATO-ja dhe zgjerimi i saj edhe me vendet e Kartës Adriatik 3 do të ishte edhe në interesin e vetë Aleancës dhe rritjen e sigurisë dhe qëndrueshmërisë.

Në takim ishte i pranishëm edhe Ambasadori i Republikës së Hungarisë në vendin tonë, Sandor Molnari.

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›