E Diel, 1 Nëntor 2026

Presidenti Topi pret Ministrin e Punëve të Jashtme të Portugalisë, Luis Amado.

14 nëntor 2007

Presidenti i Republikës, Bamir Topi priti sot paradite Ministrin e Punëve të Jashtme të Republikës së Portugalisë, z. Luis Amado, vendi i të cilit mban Presidencën e radhës së Bashkimit Europian.

Presidenti Topi dhe Ministri Amado vlerësuan si mjaft të mira marrëdhëniet mes dy vendeve dhe nënvizuan faktin se takime të tilla hapin perspektiva të reja, si për thellimin e dialogut politik, ashtu edhe në drejtim të intensifikimit të bashkëpunimit ekonomik mes dy vendeve.

Pasi bëri një panoramë të punës së tij katër mujore në krye të shtetit shqiptar, duke theksuar rolin inkurajues për reformat në vend, Presidenti Topi kërkoi mbështetjen e Portugalisë, edhe si kryesuese e radhës e BE-së, në sfidat shumë të rëndësishme për vendin tonë, aspiratën për të marrë ftesën për antarësim në NATO, në samitin e Bukureshtit, si dhe ratifikimin e MSA-së nga vendet antare të BE-së, ç’ka do t’i hapte rrugën Shqipërisë për marrjen e statusit të vendit kandidat.

Duke u ndalur në çështjen e Kosovës, Presidenti Topi përsëriti qëndrimin se në rast se bisedimet 120-të ditore nuk sjellin rezultat, atëherë rikthimi tek Plani Ahtisari është i domosdoshëm për pavarësimin e Kosovës, si zgjidhja më e mirë për stabilitetin në vendet e rajonit dhe integrimin e tyre euroatlantik.

Ministri Amado shprehu mbështetjen e plotë për aspiratat integruese të Shqipërisë, “pasi Portugalia”, - vurin në dukje ai, - “përkrah procesin e zgjerimit të mëtejshëm të BE-së, por edhe të NATO-s me vende të Ballkanit Perëndimor, në funksion të një sigurie të qëndrueshme në këtë rajon.

Ministri i Punëve të Jashtme të Portugalisë vlerësoi rolin moderues e bashkëpunues të Shqipërisë në rajon dhe u shpreh në favor të një qëndrimi të shpejtë, të qëndrueshëm e të përbashkët të vendeve të BE-së për çështjen e Kosovës.

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›