E Diel, 1 Nëntor 2026

Presidenti Topi pret drejtuesit e Shoqatës Mbarëkombëtare për Integrimin e të Burgosurve dhe të Përndjekurve Politikë.

16 prill 2008

Presidenti i Republikës, Bamir Topi priti sot paradite në Presidencë drejtuesit e Shoqatës Mbarëkombëtare për Integrimin e të Burgosurve dhe të Përndjekurve Politikë: Kryetarin e Shoqatës, z. Adem Allçi, Sekretarin e Përgjithshëm, z. Besim Ndregjoni, krerët e degëve të Shoqatës në Shkodër dhe Durrës, z. Zenel Dranku dhe z. Skënder Barçi, të cilët shoqëroheshin nga Kryetari i Qarkut të Tiranës, z. Tasim Mema.

Drejtuesit e Shoqatës Mbarëkombëtare për Integrimin e të Burgosurve dhe të Përndjekurve Politikë, pasi falenderuan Kreun e shtetit për pritjen që u rezervoi, shprehën urimet më të mira për marrjen nga ana e Shqipërisë të ftesës për anëtarësim në NATO dhe i parashtruan Presidentit Topi disa nga problemet më të mprehta me të cilat ata hasen në përpjekjet për rehabilitimin dhe integrimin e tyre të plotë shoqëror dhe ekonomik.

Presidenti Topi, pasi i dëgjoi me shumë vëmendje shqetësimet e të burgosurve dhe të përndjekurve politikë, u shpreh se shtresa e tyre meriton të integrohet plotësisht në jetën shoqërore, politike dhe ekonomike duke vënë në pah rëndësinë e ndërrmarrjes së veprimeve dhe të masave konkrete në këtë drejtim.

Kreu i shtetit i siguroi drejtuesit e Shoqatës Mbarëkombëtare të të Burgosurve dhe të Përndjekurve Politikë për mbështetjen dhe përkrahjen e tij të plotë institucionale dhe njerëzore duke u zotuar se do të bëjë çdo përpjekje brenda kuadrit ligjor dhe kushtetues për ndërgjegjësimin e strukturave përkatëse shtetërore si dhe për përfaqësimin e menjëhershëm dhe integrimin e kësaj shtrese në mbarë spektrin politik dhe shoqëror të vendit.

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›