E Diel, 1 Nëntor 2026

Presidenti Topi priti një përfaqësi të familjeve të prekura nga tragjedia e Gërdecit.

14 prill 2008

Presidenti i Republikës, Bamir Topi priti sot në Presidencë një përfaqësi të punonjësve të fabrikës së çmontimit të Gërdecit dhe e familjarëve të tyre që u prekën nga shpërthimi tragjik.

Përfaqësia në emër të punonjësve dhe banorëve të Gërdecit e fshatrave përreth, që u prekën nga shpërthimi tragjik i 15 marsit, e njohu Kreun e shtetit me problemet dhe pasojat me të cilat po përballen në jetën e tyre të përditshme duke kërkuar një zgjidhje sa më të shpejtë dhe të drejtë të kësaj situate të vështirë.

Presidenti Topi, pasi i dëgjoi me vëmendje shqetësimet e përfaqësisë, u shpreh se është detyrim institucional dhe njerëzor njëkohësisht për t’u ofruar gjithë mbështetjen e mundshme për normalizimin dhe zgjidhjen sa më të shpejtë dhe transparente të situatës.

Kryetari i shtetit dha udhëzimet e nevojshme në mënyrë që të sensibilizohen menjëherë të gjitha strukturat përkatëse dhe të prekurit nga shpërthimi i Gërdecit të marrin sa më shpejt një informacion të sinqertë, korrekt dhe transparent.

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›