E Diel, 1 Nëntor 2026

Presidenti Topi pritet nga Kryeadministratori i UNMIK-ut, Joahim Ryker.

25 janar 2008
Prishtinë

Presidenti i Republikës, Bamir Topi, i shoqëruar nga Zonja e Parë, Teuta Topi dhe delegacioni që ai kryeson, nisi sot vizitën zyrtare tre ditore në Kosovë.

Kryetari i Shtetit shqiptar u prit dhe zhvilloi një takim me të Dërguarin e Posaçëm të Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së në Kosovë, Joahim Ryker. Dr. Rykeri pasi vlerësoi Presidentin Topi për rolin e tij të rëndësishëm dhe mesazhet e duhura e pozitive për zgjidhjen e çështjes së statusit të Kosovës, shprehu mirënjohjen për rolin dhe efektin moderues të Shqipërisë dhe faktorit shqiptar në rajon në shërbim të ruajtjes së qetësisë, paqes dhe qëndrueshmërisë afatgjatë.

Në këtë takim Presidenti Topi shoqërohej nga Zëvendëskryeministri Gazmend Oketa, dy zëvendëskryetarët e Parlamentit shqiptar Fatos Beja dhe Ylli Bufi, nga kryetarja e grupit parlamentar të PS-së, Valentina Leskaj, kryetari i grupit parlamentar të PD-së, Astrit Patozi, zëvendësministrja e Punëve të Jashtme, Edith Harxhi, përfaqësuesi i Misionit shqiptar në Kosovë, Arben Çejku dhe Drejtori i Kabinetit të Presidentit, Profesor Dashamir Xhaxhiu.

Presidenti Topi, pasi falenderoi për ftesën dhe mikpritjen, vlerësoi rolin e rëndësishëm të UNMIKU-t dhe theksoi se në këto momente të rëndësishme historike, kur pavarësia e pritshme dhe e merituar e Kosovës është më afër se kurrë, ka shumë nevojë për mesazhe paqeje dhe mirëkuptimi.

Gjatë bisedës, kreu i shtetit shqiptar vuri në dukje se Kosova ka treguar dhe provuar tashmë se e meriton plotësisht pavarësinë nëpërmjet aftësive të saj qeverisëse me zgjedhjet demokratike të mbajtura në nëntor, me rizgjedhjen e Presidentit Sejdiu, me formimin e një qeverie koalicioni të gjerë dhe konstituimit të institucioneve të saj që garanton respektimin e të drejtave të pakicave dhe konsolidimin e shtetit ligjor. Presidenti Topi u shpreh gjithashtu se zgjidhja e çështjes së statusit të Kosovës do të mundësonte që më pas të gjitha e vendet e rajonit të linin pas përfundimisht të kaluarën e turbullt, ndarjen nga skenarët e luftës dhe idetë unltranacionaliste, dhe të orientoheshin drejt së ardhmes së përbashkët Euro-Atlantike.

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›