E Diel, 1 Nëntor 2026

Presidenti Topi priti sot Kryetarin e Parlamentit Federal të Gjermanisë, Dr. Norbert Lamert.

12 maj 2008

Presidenti Topi priti sot në një takim zyrtar Kryetarin e Parlamentit Federal të Gjermanisë, Dr. Norbert Lamert, dhe delegacionin që e shoqëronte atë gjatë vizitës zyrtare në Shqipëri.

Kreu i shtetit, pasi i uroi mirëseardhjen Dr. Lamertit në vendin tonë, shprehu kënaqësinë e veçantë të këtij takimi të rëndësishëm, nënvizoi nivelin shumë të mirë të marrëdhënieve midis Shqipërisë dhe Gjermanisë, si dhe shprehu besimin për konsolidimin e thellimin e mëtejshëm të tyre në të ardhmen, sidomos në aspektin ekonomik, ku investimet e firmave serioze gjermane janë të mirëpritura në sektorë si: infrastruktura, energjitika, turizmi, bujqësia, minierat, transporti, etj.

Presidenti Topi vlerësoi mbështetjen politike që Gjermania i ka dhënë Shqipërisë dhe vuri në dukje se angazhimi ynë për forcimin e bashkëpunimit politik mes dy vendeve nëpërmjet shkëmbimit të vizitave të nivelit të lartë, siç është rasti i vizitës së Dr. Lamertit – është një dëshmi e qartë e rritjes së nivelit të dialogut politik dhe që kontribuon ndjeshëm në intensifikimin e bashkëpunimit ndërparlamentar.

Presidenti Topi, pasi përshkroi reformat e ndërmarra në vend si ajo në gjyqësor dhe reforma zgjedhore, të përcjella me një konsensus të gjerë politik, theksoi mbështetjen për diplomacinë parlamentare, si një fushë shumë e rëndësishme bashkëpunimi, ku shkëmbimet e ndërsjellta të strukturave të ndryshme të dy parlamenteve do të shërbenin dhe për shkëmbim eksperience sa i përket përafrimit të legjislacionit me atë të BE-së në kuadër të integrimit tonë evropian. Në këtë kuadër, Kreu i shtetit shprehu besimin në ratifikimin e shpejtë të MSA-së nga Parlamenti gjerman.

Presidenti Topi shprehu gjithashtu falënderimet për mbështetjen që Gjermania, një vend mik, i dha Shqipërisë në marrjen e ftesës për anëtarësim në Aleancën e Atlantikut të Veriut dhe besimin në vazhdimësinë e kësaj mbështetjeje në të ardhmen dhe i përcolli Presidentit Këler përshëndetjet më të mira e miqësore së bashku me dëshirën për t’u takuar me të së afërmi në Shqipëri.

Presidenti Topi, duke përshkruar rolin e rëndësishëm e moderues të Shqipërisë dhe faktorit shqiptar në rajon për paqe dhe qëndrueshmëri, çmoi lart mbështetjen dhe angazhimin e Gjermanisë në procesin e zgjidhjes së statusit të Kosovës dhe njohjen e menjëhershme të pavarësisë së saj.

Kryetari i Parlamentit gjerman, Dr. Lamert, pasi falenderoi për pritjen e përzemërt, e uroi Presidentin Topi për arritjen e suksesit në marrjen e ftesës anëtarësuese për në NATO, duke e siguruar se shumë shpejt Parlamenti gjerman do të miratojë me shumicë votash Marrëveshjen e Stabilizim Asociimit të vendit tonë me BE.

Dr. Lamert vlerësoi konsensusin e gjerë në politikën dhe shoqërinë shqiptare për kryerjen e reformave dhe arritjen e standardeve në përmbushje të aspiratave integruese dhe strukturave euro-atlantike dhe premtoi nxitjen e mëtejshme të dialogut dhe bashkëpunimit ndërparlamentar për t’i kontribuar perspektivës së përbashkët në familjen e madhe europiane.

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›