E Diel, 1 Nëntor 2026

Presidenti Topi takon kryetarë të shoqatave të medias mbi disa shqetësime të medias së shkruar.

17 prill 2008

Presidenti i Republikës, Bamir Topi priti sot në mesditë në një takim kryetarë të shoqatave të medias në Shqipëri.

Armand Shkullaku, Kryetar i Shoqatës së Gazetarëve Profesionistë, Mero Baze, Kryetar i Forumit Shqiptar për media të lira, Ylli Rakipi, Kryetar i Shoqatës së Gazetarëve të Shqipërisë dhe Aleksandër Çipa, Kryetar i Unionit të Gazetarëve i paraqitën Presidentit Topi shqetësimin e tyre lidhur me një urdhër të Ministrit të Financave, i cili përcakton numrin e punonjësve të siguruar që duhet të ketë një media e shkruar në raport me numrin e faqeve të saj.

Për kryetarët e shoqatave, ky është një qëndrim arbitrar dhe një urdhër i pambështetur në ligj e që cënon misionin e shtypit të shkruar në Shqipëri. Kryetarët e shoqatave u shprehën të hapur për t’u kontrolluar nga shteti, por sipas tyre për shkak të specifikës së saj si biznes i lirë, një media e shkruar duke mos pasur faqe standarte, mund të punësojë gazetarë apo bashkëpunëtorë sipas fuqisë së saj e jo të përcaktuar paraprakisht.

Kryetarët e shoqatave të medias i paraqitën Presidentit shqetësimin se një urdhër i tillë, i pakonsultuar me këtë grup interesi, mund ta penalizojë shtypin në mënyrë selektive.

Kryetarët e shoqatave të medias u shprehën se hartimi i një ligji për shtypin e shkruar do të rregullonte aktivitetin e tyre duke shmangur urdhëra të tillë.

Pasi dëgjoi me vëmendje shqetësimet e tyre, Presidenti i Republikës u shpreh se do e ndjekë me kujdes këtë çështje nëpërmjet stafit të tij, por edhe takimeve të punës, për të gjetur një ekulibër llogjik në zbatimin e ligjit në mënyrë korrekte.

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›