E Diel, 1 Nëntor 2026

Presidenti Topi viziton të aksidentuarit në Elbasan.

15 janar 2008

Presidenti i Republikës, Bamir Topi vizitoi sot në Spitalin e Elbasanit katër personat e aksidentuar një ditë më parë, gjatë punës në një nga furrat e shkrirjes në ish-Kombinatin Metalurgjik. Në spitalin e qytetit, ku aktualisht po kurohen Veli Shyteja, Agim Qosja, Agim Pisha dhe Ednald Myfiti, Presidenti Topi u prit nga Drejtori i këtij spitali, Shefqet Deliallisi.

Pasi është interesuar për gjendjen shëndetësore të të aksidentuarve pranë stafit të mjekëve, që po i mban nën kontrollin mjekësor, Kryetari i Shetit ka komunikuar vetë edhe me katër personat e shtruar në spital, duke i pyetur për gjendjen e tyre dhe duke ju uruar shërim të shpejtë. Presidenti u ka dhënë kurajo edhe familjarëve në përballimin e këtij rasti të rëndë. Gjithashtu, Presidenti Topi, duke vlerësuar punën e ekipit mjekësor të Spitalit të Elbasanit i ka inkurajuar ata që të vazhdojnë misionin e tyre human.

Në vijim, Kryetari i Shtetit i është përgjigjur interesimit të mediave:

“Së pari unë do të doja të përgëzoja personelin e mjekëve dhe infermiereve të Spitalit të Elbasanit, jo thjesht për gatishmërinë, për humanizmin, që është në misionin e tyre, por edhe për profesionalizmin. Së dyti, do të ngushëlloja familjen e të ndjerit që u aksidentua së bashku me të tjerët, të cilët janë në gjendje shëndetësore që besoj se do t’ia kalojnë. Një mesazh të drejtpërdrejtë do të kisha për të gjithë ata që sot kanë aktivitete prodhuese në Shqipëri e që duhet të mendojnë seriozisht për kushtet e sigurisë në punë. Një mesazh do të jepja edhe për inspektoriatet e dikastereve të ndryshme, sepse për fat të keq, në kohë paqeje jemi duke përjetuar e duke marrë buletine lufte, pra çdo ditë për fat të keq dëgjojmë për humbje jetësh, aksidente rrugore, aksidente në punë, ç’ka do të thotë që është detyrim të krijojmë kushte për të parandaluar këto lloj tragjedish, sepse lotët pas tragjedive vlejnë pak. Kështu që unë do të inkurajoja edhe institucionin e Prokurorisë të bëjë hetimet e duhura në çdo rast, në sensin për të zbatuar ligjin dhe për të parandaluar tragjedi, që në radhë të parë janë për individët, janë për familjet dhe pastaj edhe për shoqërinë. Unë këtë mesazh kisha, erdha për një mision të karakterit human dhe jo për ta zgjeruar argumentin.”

Në përgjigje të pyetjes se “cilat janë masat konkrete që duhet të marrë shteti shqiptar ndaj të gjitha atyre kompanive, që nuk garantojnë kontrollin teknik, si rasti i ish-Metalurgjikut”, Presidenti Topi u shpreh:

“Unë më duket se u shpreha qartë, nuk vlen thjesht për ish-Metalurgjikun, vlen për të gjithë, të cilët duhet të operojnë me rigorozitet konform legjislacionit. Për ata që nuk e zbatojnë legjislacionin, duhet të ndërhyjë shteti me mekanizmat e vet, duhet të ndërhyjë Prokuroria dhe duhet të ketë vërtetë një ndjekje të çështjes. Fjalët janë të tepërta, sepse e thashë edhe një herë kur ndodhin tragjedi në radhë të parë preken individët dhe familjet. Ndërsa shteti e ka detyrim të marrë masat.”

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›