E Diel, 1 Nëntor 2026

Përshëndetja e Presidentit Topi në pritjen për Trupin Diplomatik me rastin e Vitit të Ri.

14 janar 2008

I nderuar z. Kryeministër!
I nderuar Dekan i Trupit Diplomatik,
Shkëlqesi ambasadorë, përfaqësues të Trupit Diplomatik,
Të nderuar deputetë dhe ministra!
Të nderuar zonja dhe zotërinj,

Jam shumë i gëzuar që më jepet mundësia të takohem me ju në fillim të këtij viti të ri. Ju uroj juve, familjeve dhe bashkëpunëtorëve tuaj një vit më të lumtur dhe më të suksesshëm si në jetën private, ashtu edhe në veprimtarinë shumë të rëndësishme, si përfaqësues të nderuar të vendeve tuaja në Shqipëri!

Më lejoni t’ju falënderoj të gjithëve për urimet e përzemërta që më keni dërguar me këtë rast dhe, nëpërmjet jush, të gjitha autoritetet e larta të shteteve që ju përfaqësoni për urimet e tyre të sinqerta dhe inkurajuese!

Sot, për herë të parë, me cilësinë e Kryetarit të Shtetit, dëshiroj të ndaj me ju, së bashku me urimet, bilancin për vitin që kaloi dhe vizionin e vitit 2008 për Shqipërinë.

Ne kemi lënë prapa një vit shumë të rëndësishëm, gjatë të cilit kemi bërë hapa të mëdha në procesin e pandalshëm të demokratizimit të shoqërisë shqiptare dhe në përballjen e sfidave rajonale dhe integruese të Shqipërisë; por kemi përpara një vit të mbushur me ngjarje historike për Shqipërinë dhe shqiptarët. Samiti i NATO-s, i Bukureshtit, dhe zgjidhja përfundimtare e statusit të Kosovës kërkojnë angazhim serioz dhe të përgjegjshëm të politikës shqiptare jo vetëm ndaj shqiptarëve, por edhe ndaj partnerëve tanë të rëndësishëm ndërkombëtarë, të cilët ju i përfaqësoni.

Ne jemi të vendosur të anëtarësohemi në NATO dhe Bashkimin Evropian. Rruga drejt këtyre qëllimeve është detyruese dhe përkushtuese; por është e vetmja për të realizuar qëllimet strategjike dhe kombëtare të Shqipërisë. Kjo është e vetmja rrugë për të përmbushur detyrimin ndaj qytetarëve tanë.

Për këtë qëllim, koha nuk pret. Të gjithë zyrtarët e zgjedhur të Shqipërisë: Presidenti i Republikës, pushteti legjislativ, ekzekutiv dhe gjyqësor, po ashtu edhe të zgjedhurit lokalë, duhet të këmbëngulin në procesin e reformave institucionale dhe sociale, sipas përgjegjësive të gjithsecilit. Vetëm vullneti politik nuk është i mjaftueshëm, por duhet lëvizja e mekanizmave institucionalë, ashtu sikurse bashkëpunimi me të gjitha institucionet ndërkombëtare.

Ne nuk duhet të lejojmë ta humbasim shansin e madh që historia po na ofron në prill të këtij viti, në Bukuresht.

Unë do të nxis, ashtu siç kam vepruar deri tani, të gjithë bashkëpunimin ndërinstitucional, në respekt të Kushtetutës së Shqipërisë, legjislacionit shqiptar dhe angazhimeve ndërkombëtare dhe do të promovoj lirinë e tolerancën qytetare, shtetin e së drejtës dhe standardet demokratike për vendin tonë.

Është në interesin e ne të gjthëve që Shqipëria të ketë rritje të termave ekonomikë të saj jo si një vend i mbyllur, por si një vend i hapur; jo si një vend i pasigurt, por si një vend që tërheq investimet e huaja; si një vend që di të mbrojë potencialin e tij, dhe, njëkohësisht ta sjellë këtë potencial në të njëjtën linjë me standardet e pranuara ndërkombëtare; si një vend që dëshiron të zhvillojë më tepër ekonominë dhe investimet, në bashkëpunim tepër të ngushtë me fqinjët e tij të afërt dhe me vendet e tjera.

Ne nuk duhet të mbyllim njërin sy për sa u përket problemeve. Shqipëria është një vend në tranzicion. Ne jemi të ndërgjegjshëm që nuk mjafton t'i identifikosh problemet si: kriza energjetike, korrupsioni, çështja e pazgjidhur e pronësisë, problemet sociale. Ne nuk duhet të fshihemi pas faktit se këto janë fenomene rajonale apo globale, por duhet të pranojmë se këto janë edhe probleme shqiptare, gjithashtu, ndaj duhet të jemi njëlloj të suksesshëm në zgjidhjen e tyre.

Do të dëshiroja që Shqipëria, për shkak të bregdetit të saj, porteve dhe pozicionit të saj gjeografik, të jetë një portë hyrëse në Evropë për shumë tregje të tjerë jashtë Evropës. Unë do doja që turizmi dhe agrikultura të bëhen jo vetëm thjesht një pjesë e statistikave tona ekonomike, por të jenë edhe një cilësi përfaqësuese e jona në proceset evropiane dhe globalizuese.

Zonja dhe zotërinj ambasadorë,

Shqipëria dhe shqiptarët e rajonit tonë mbeten një faktor i rëndësishem i promovimit te vlerave kombëtare, por jo vetëm kaq. Në proceset e rëndësishme integruese të vendeve të rajonit, faktori politik shqiptar, mediatik e publik, po luan një rol të pazvendësueshëm pozitiv dhe moderator. Shqiptarët janë të bindur se partneriteti euroatlantik është e vetmja e ardhme e sigurt për ta, për rajonin, për vendet ku ata jetojnë dhe janë të vendosur ta respektojnë atë si qytetarë të denjë evropiane.

Unë përshëndes masat e fundit lehtësuese të Bashkimit Evropian për lëvizjen më të lirë të qytetarëve të rajonit tonë, duke shtuar se ne vetë duhet t'i ofrojmë partnerëve tanë ndërkombëtarë një hapësirë rajonale pa paragjykime ku burimet njerëzore, intelektuale, teknologjitë, mallrat dhe të mirat materiale lëvizin pa barriera të tepërta administrative dhe kufitare. Kjo është mënyra e vetme integruese e rajonit tonë në strukturat euroatlantike.

Kosova po ofron një realitet të ri gjeopolitik në rajonin tonë. Zgjedhjet e fundit kuvendore dhe lokale, zgjedhja e presidentit dhe procesi i krijimit të qeverisë së re të koalicionit, të dalë nga këto zgjedhje të lira dhe demokratike, dhanë garancinë më të madhe se Kosova është bërë tashmë një partner i besueshëm i Organizatës së Kombeve të Bashkuara, Bashkimit Evropian dhe NATO-s në angazhimet e saj për të ndërtuar standardet e kërkuara të demokracisë dhe sigurisë në vend, të funksionimit të shtetit ligjor e të institucioneve të tij, si dhe të respektimit të të drejtave të minoriteteve dhe përfshirjes së tyre në qeverisje. Dita-ditës Kosova po provon se është e aftë të marrë përgjegjësitë e të qenit e pavarur. Shqipëria e mbështet pavarësinë e saj, këtë proces të suksesshëm dhe të pakthyeshëm euroatlantik, që do të shtojë sigurinë dhe begatinë e rajonit. Falënderoj me këtë rast të gjithë përfaqësuesit e vendeve që ju përfaqësoni për kontributin e tyre pozitiv në përballimin e kësaj sfide!

Sigurisht, unë shpresoj se bota dhe vendet që ju përfaqësoni, do të njohin angazhimet tona dhe do të na mbështesin në përpjekjet tona. Në këtë vit që sapo ka ardhur, do të dëshiroja që ju të vazhdonit të transmetonit në mënyrë realiste gjithçka që ndodh në Shqipëri dhe të na ndihmoni neve të fitojmë mbështetjen ndërkombëtare; kjo për të mirën dhe interesin reciprok, për paqen e demokracinë në rajon, Evropë dhe botë.

Së fundi, më lejoni edhe një herë t'ju uroj një vit të ri të lumtur, të begatë dhe të suksesshëm për ju, familjet tuaja, kryetarët e shteteve që ju përfaqësoni, si dhe qytetarët e vendeve tuaja, mike të Shqipërisë!

Gëzuar !

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›