E Diel, 1 Nëntor 2026

Presidenti Topi zhvilloi një takim me Ministrin e Jashtëm të Letonisë, Maris Rikstins.

21 shkurt 2008

Presidenti i Republikës, Bamir Topi zhvilloi sot një takim me Ministrin e Jashtëm të Letonisë, Maris Rikstins dhe delegacionin që e shoqëronte gjatë vizitës zyrtare në Tiranë.

Presidenti Topi pasi shprehu mirënjohjen për Letoninë dhe qeverinë e saj si vendi i parë që ratifikoi MSA-në e Shqipërisë me Bashkimin Europian, vlerësoi rolin e madh dhe të rëndësishëm që ka luajtur për çështjen e Kosovës dhe marrëdhëniet e mira dypalëshe mes dy vendeve tona. Kreu i shtetit shprehu nevojën e rritjes së dialogut politik dhe intensifikimit të marrëdhënieve të nivelit të lartë. Në këtë pikë Kreu i shtetit i përcolli Presidentit Valdis Zatlers nëpërmjet Ministrit të Jashtëm letonez përshëndetjet e përzemërta dhe dëshirën për t’u takuar sa më shpejt në Tiranë ose në Rigë.

Duke përshkruar momentet e rëndësishme që po kalon vendi ynë përsa u përket përmbushjes së aspiratave integruese për në NATO dhe Bashkimin Europian, Presidenti Topi vuri në pah se përvoja pozitive dhe e suksesshme e vendeve të “Baltik 3” do t’u shërbejë më së miri edhe vendeve anëtare të Kartës “Adriatik 3” për marrjen e ftesës anëtarësuese në bllok nga Samiti i NATO-s në Bukuresht. Kreu i shtetit theksoi se Shqipëria po përmbush të gjitha angazhimet për reformën në sistemin e drejtësisë dhe atë zgjedhor dhe në këtë drejtim sintonia dhe fryma e konsensusit mes forcave politike po luan një rol të rëndësishëm.

Ministri i Jashtëm letonez vlerësoi lart rolin moderues dhe pozitiv të Shqipërisë në rajon, shprehu mirënjohjen për pjesëmarrjen aktive të vendit tonë në misionet paqeruajtëse si ai i NATO-s në Afganistan dhe siguroi për gatishmërinë e vendit të tij për të ndarë me ne përvojën e sukseshme integruese të Letonisë.

Duke folur për çështjen e Kosovës, Z. Rikstins bëri me dije se Letonia si vend anëtar i BE-së, njohu dje pavarësinë e Kosovës dhe në politikën e saj të jashtme synon mundësimin e qëndrueshmërisë afatgjatë në Ballkanin Perëndimor.

Presidenti Topi theksoi se me krijimin e shtetit më të ri në Europë, Kosovës së pavarur dhe shumëetnike në respekt të të gjitha standardeve ndërkombëtare për pakicat dhe të drejtat e tyre, rajoni ynë do të gëzojë paqe dhe qetësi duke u orientuar të gjithë së bashku drejt integrimit në familjen e madhe euroatlantike.

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›